Autoritetet egjiptiane thonë se Kanali i Suezit mund të zhbllokohet brenda 24 orëve në rastin më të mirë, ose brenda disa javëve nëse dështojnë përpjekjet aktuale për zhvendosjen e anijes gjigante që po pengon qarkullimin në të.
Ndërsa vijojnë përpjekjet për lëvizjen e anijes që ka bllokuar Kanalin e Suezit, nuk ka ende një afat të qartë se kur mund të realizohet. Drejtuesi i Autoritetit që menaxhon Kanalin deklaroi se për bllokimin e njërës nga nyjat kyç të transportit global nuk përjashtohet si shkaktar edhe faktorët njerëzorë.
“Aksidentet e mëdha ndodhin gjithmonë për arsye dhe gabime që ndërthuren me njëra-tjetrën. Arsyeja e qartë është se ka pasur erëra të forta dhe stuhi rëre, por mund të ketë pasur edhe gabime teknike ose njerëzore, që pritet t’i zbulojnë hetimet“- tha Osama Rabie.
Disa rimorkiatorë po punojnë për zhvendosjen e anijes “Ever Given” që prej së martës. Operacionet për shtyrjen dhe gërmimin e cekëtinës ku ka ngecur mjeti u shtuan gjatë fundjavës, duke përfituar edhe nga dallgët e ditës, por përpjekjet u ndërprenë në darkë.
Një tjetër opsion mbetet zbrazja e anijes nga mijëra kontejnerët që ka përsipër, por kjo do të kërkonte një vinç me krahë mbi 60 m.
“Situata është vërtet komplekse. Kemi një anije 400 m të gjatë, që ka devijuar nga kursi i vet në një kanal vetëm 250 m të gjerë. Po flasim për një mjet rreth 223 mijë tonë të rëndë, me 118,300 kontejnerë me vete, 59 m të gjerë dhe të zhytur 15,5 m nën ujë“- tha Osama Rabie.
Autoritetet egjiptiane thonë se disa vende kanë ofruar ndihmë për zhbllokimin e anijes. Pengesa në Kanalin e Suezit po rëndon përditë situatën edhe tregtinë globale, pasi në kanal qarkullojnë gati 10 për qind e gjithë mallrave të botës nga Azia në Perëndim, që përndryshe do të duhej të transportoheshin nëpërmjet rrugës më të gjatë, rreth e qark Afrikës.









