Kancelari Scholz vjen me një “paralajmërim ogurzi” për luftën në Ukrainë

Kancelari gjerman Olaf Scholz beson se lufta në Ukrainë mund të zgjasë edhe për disa vite të tjera.Askush nuk mund të thotë nëse kjo luftë mund të mos zgjasë as pesë vjet, për shembull, tha Scholz të premten në mbrëmje në qytetin lindor të Chemnitz.

Ai mbrojti mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën.

Përveç kësaj, diplomacia duhet të kultivohet, ka shtuar ai, shkruajnë mediat e huaja.

Scholz ishte i ftuar të premten në mbrëmje në një panel diskutimi të organizuar nga gazeta Freie Presse (Shtypi i Lirë) me titull “Gjermania nën presion. Si mund të veprojë koalicioni [qeveritar] në kushte të reja?”.

Sipas informacioneve të siguruara, debatin e kanë ndjekur rreth 200 lexues të gazetës dhe të ftuar të tjerë. Diskutimi u transmetua drejtpërdrejt edhe në internet.

Scholz tha më herët të premten se bisedimet me zyrtarët kinezë rreth luftës në Ukrainë gjatë udhëtimit të tij të fundit dhanë një “nxitje shumë të rëndësishme” për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Scholz theksoi se ishte në marrëveshje me udhëheqjen kineze për nevojën e konferencave të paqes në Zvicër për të diskutuar rreth luftës.

“[Përpjekjet diplomatike janë] diçka që është e domosdoshme në këtë proces të mundimshëm dhe jam mirënjohës që Gjermania, dhe unë personalisht, ishim gjithashtu në gjendje të jepnim një kontribut”, citohet të ketë thënë Scholz.

Scholz tha se përpjekjet diplomatike ishin “ende një bimë që ka nevojë për shumë ujitje … por është diçka që ekziston dhe që ne po e ushqejmë”.

Ndryshe, Zvicra po planifikon një samit paqeje për 15 dhe 16 qershor, në të cilin synon të ftojë rreth 100 vende, përfshirë Ukrainën.

Rusia nuk pritet të marrë pjesë, por vendet që kanë lidhje miqësore me Rusinë, si Kina, Brazili dhe Afrika e Jugut, mund t’i bashkohen samitit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu