Situata në Serbi po përkeqësohet dhe ajo që filloi si një protestë kundër korrupsionit po bëhet gjithnjë e më shumë një provë për qeverinë, sipas përmbledhjes së sotme të shtypit gjerman të publikuar nga Deutsche Welle (DW). Në Serbi, studentët po i drejtohen gjithnjë e më shumë mosbindjes civile dhe policia po i përgjigjet kësaj me një valë arrestimesh, shkruan agjencia KNA. Me protesta, vendosje kontejnerësh mbeturinash dhe barrikada të tjera, demonstruesit paralizuan përkohësisht trafikun në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera. Veprimet pasuan demonstratat e mëdha të së shtunës, në të cilat më shumë se 100,000 njerëz në kryeqytet kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare, raporton agjencia gjermane.
Mosbindje civile
Tageskeitung i Berlinit thekson se ka qenë e pamundur të planifikosh diçka në Beograd për ditë të tëra, sepse kudo që shkon, ka barrikada të ngritura nga qytetarë rebelë, shkruan DW. “Transporti publik është në ndalesë. Rreth tridhjetë linja u anuluan në Beograd vetëm këtë të mërkurë. Dhjetëra ‘terroristë’ arrestohen çdo ditë, domethënë, qytetarë që demonstrojnë paqësisht në rrugë. Protestat civile të nisura nga studentët dhe që kanë vazhduar për më shumë se gjysmë viti në të gjithë vendin, siç janë bllokimet e fakulteteve, kanë hyrë në një fazë të re, mosbindje civile”, shton gazeta. Gazeta gjermane vlerëson se pika e kthesës ndodhi pas protestës së 28 qershorit dhe përplasjeve midis policisë dhe demonstruesve që pasuan. “Më 29 qershor, pas një nate me stuhi, gjërat në fillim mbetën të qeta. Autokrati Vuçiç shpalli fitoren dhe studentët numëruan kokat e përgjakura dhe të arrestuarit”, shkruan Tageskeitung. “Metoda është e qetë dhe inovative dhe e çmend policinë krejtësisht të pafuqishme”, thotë gazeta, duke theksuar se oficerët e policisë me helmeta dhe pajisje jo vetëm që janë të rraskapitur, por ndihen edhe të poshtëruar nga loja e maces me miun me qytetarët.
Arrestime dhe bllokada
Pothuajse 80 protestues u arrestuan, përfshirë një profesor universiteti, dhe disa persona u plagosën të mërkurën në mbrëmje dhe të enjten në mbrëmje kur policia ndërhyri, duke thyer bllokadat e ngritura në veprime të mosbindjes civile gjithnjë e më masive, të kërkuara nga studentët pas tubimit antiqeveritar më 28 qershor. Studentët akuzuan policinë për sulm brutal ndaj protestuesve paqësorë të ulur në kryqëzimin përpara Fakultetit të Drejtësisë dhe për shkelje të autonomisë së universitetit duke u përpjekur të sulmonte fakultetin, një pretendim që Ministria e Brendshme e mohoi kategorikisht. Policia ndaloi 23 persona vetëm në atë veprim. Sipas postimeve në mediat sociale, u ndalua edhe profesoresha e universitetit dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Biljana Stojković. Të mërkurën, Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut u bëri thirrje autoriteteve në Serbi të respektojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për tubim paqësor. Sindikata e Pavarur e Mësuesve të Serbisë paralajmëroi se po vihet në pikëpyetje fillimi i vitit shkollor 2025/26″.
Frika e Vuçiçit
Tageskeitung përfundon: “Autokracia po lëkundet. Një student 20-vjeçar e përmblodhi kështu: ‘Nuk ka asgjë më të rrezikshme për një regjim autoritar sesa kur qytetarët nuk e kanë më frikë dhe kur autokratët tallen me të.’” Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili gjatë 13 viteve të mëparshme të sundimit të Partisë Progresive Serbe shpesh ka përdorur zgjedhjet e parakohshme për të konsoliduar sundimin e tij, tani po refuzon ta bëjë këtë. Vuçiç thotë se “zgjedhjet në këtë kohë nuk janë në interes të shtetit”, sepse ato do të ndalonin zhvillimin e tij ekonomik, investimet e huaja dhe projektet e infrastrukturës, veçanërisht përgatitjet për ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2027. Vuçiç, i cili më parë i quante protestat një “revolucion me ngjyra” që u nxit dhe u financua nga Perëndimi, tani e quan valën e mosbindjes civile që po bëhet e përditshme në Serbi një “revolucion kontejnerësh” dhe thotë se “shteti do të fitojë”.