Me përjashtim të kopshteve, foshnjoreve dhe shkollave fillore, të cilat hapen të hënën, masat e tanishme kufizuese në Greqi, gjegjësisht karantina dhe ora policore janë zgjatur deri më 18 janar, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Zëvendësministri grek i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp për situatën me Kovid-19, tha se vendimet për lehtësimin eventual të masave aktuale do të komunikohen çdo javë.
Më 3 janar, u mbyllën bizneset që u hapën para pushimeve, gjegjësisht sallonet e ondulimit dhe berberët, sallone për kujdesin e thonjve, qendra të inspektimit teknik të automjeteve, libraritë dhe shërbimi “click away”, pra marrja e porosive nga dyqanet dhe vendimi konkret u zgjat edhe për një javë.
Masat janë në përputhje me rekomandimet e komisionit kompetent të epidemiologëve në Ministrinë e Shëndetësisë të Greqisë, ndërsa dhanë dritën jeshile vetëm për hapjen e kopshteve, foshnjoreve dhe shkollave fillore.
Profesoresha, Vana Papaevangelu, e cila është anëtare e komisionit, tha se shkollat duhet të mbyllen të fundit dhe të hapen të parat.
Në 24 orët e kaluara, 721 raste të reja me Kovid-19 dhe 49 vdekje të tjera janë regjistruar në Greqi, duke e çuar numrin e të infektuarve në 143.494 dhe numrin e vdekjeve në 5.195.
Karantina në Greqi është vendosur më 7 nëntor të vitit 2020 dhe është zgjatur disa herë.










