Kasami në “Ora News”: Nuk lejuam maqedonizimin e shqiptarëve

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në lidhje direkte nëpërmjet ‘skype’ në ORA NEWS, ka folur rreth situatës aktuale politike në Maqedoni dhe gjendjes momentale të vendit pas ndryshimeve kushtetuese.

“Kjo nuk ishte një betejë e Lëvizjes Besa, ishte një betejë për çështjen shqiptare në Maqedoni. Çështja shqiptare në Maqedoni vazhdon të mbetet e hapur edhe përkundër faktit që disa parti shqiptare në qeveri për të mbrojtur pozicionet e tyre, e deklaruan çështjen shqiptare të mbyllur. Këtë tentuan ta deklarojnë edhe nga Uashingtoni, por ne arritëm që në një marrëveshje me qeverinë që kjo çështje të mbetet e hapur dhe më tutje të zgjidhet në procesin e klasës së Maqedonisë”, deklaroi Kasami.

Kreu i Besës u shprehë se ka kërkuar bashkimin e gjithë partive shqiptare për këtë proces.

“Ne kërkuam bashkimin e gjithë forcave politike shqiptare, personalisht kam takuar lider të opozitës dhe që janë pjesë e qeverisë, fatkeqësisht kryetari i BDI-së pjesë e koalicionit qeveritar nuk e pa të arsyeshme që të takohet dhe të ulemi të bashkërendojmë aktivitetët. Besoj fuqishëm se sikur të kishe pasur një bashkëpunim në frymën e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare besoj që shumë çështje do të ishin mbyllur dhe çështja shqiptare e avancuar dhe ky moment historik do të shfrytëzohej që Maqedonia edhe përkundër përmbylljes së një çështje të rëndësishme me fqiun jugor do të përmbyllte edhe një çështje shumë të rëndësishme të përmisimit të marrëdhënieve ndër etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve si dy popuj shumicë në Maqedoni”, përfundoi Kasami.

I pyetur se çka përfituan shqiptarët nga kërkesat e Lëvizjes Besa, Kasami u shprehë: “Në letërnjoftimet e shqiptarëve do t’ju shkruaj ‘shqiptar’ dhe se kur do të vijmë ne në Shqipëri do të quhemi më si shqiptar e jo si maqedonas”. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu