Bilall Kasami nga VLEN, pas takimit të liderëve në Klubin e deputetëve tha se si koalicion kanë shprehur mbështetje për largimin e qeverisë teknike, që del nga marrëveshja e Përzhinës, përcjell TV21. Kasami tha se në rast se liderët e partive të tjera pajtohen që në zgjedhjet e ardhshme të shfuqizohet qeveria teknike, të njëjtën do ta pranojë VLEN, por që propozimi i tyre është që qeveria teknike të shfuqizohet pas mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të rregullta parlamentare.
“Dmth propozimi ynë ishte që nëse merremi vesh të gjithë partitë, mund të shfuqizohet menjëherë. Nëse nuk ka marrëveshje nga të gjithë, edhe këtij zgjedhje të organizohen me këtë format të qeverisë, me qeveri teknike, pas këtyre zgjedhjeve të mos ketë qeveri teknike”, tha Kasami duke shtuar se fjalën e ka për zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Kasami tha:
“Kërkuam që të shikohet mundësia që të ketë diaspora më shumë mundësi për të votuar, sepse ne vlerësojmë se diaspora është kontribuues i rëndësishëm i zhvillimeve veçanërisht ekonomike në vend, po ashtu edhe mundësia që të kemi lista të hapura dhe sigurisht që u diskutuan disa mundësi për zona zgjedhore, por ne nuk kemi të ndërtuar ende qëndrim”, theksoi Kasami.










