Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka promovuar sot platformën e re digjitale “Te Klik”, e cila tashmë është në dispozicion për qytetarët në iOS dhe Android. Përmes kësaj platforme, të gjitha shërbimet komunale do të jenë të qasshme online, duke lehtësuar jetën e përditshme të qytetarëve dhe duke rritur transparencën e punës së komunës.
Një nga risitë kryesore është pagesa e parkimit online. Qytetarët do të mund të shohin vendparkimet e lira, kohën e lirimit të tyre dhe të kryejnë pagesat drejtpërdrejt nga aplikacioni.
Po ashtu, aplikacioni ofron shërbime të rëndësishme të lidhura me pronën. Tatimi në pronë mund të paguhet online përmes fletpagesave të gjeneruara automatikisht, ndërsa qytetarët do të kenë qasje në të dhënat për pronat e tyre dhe informacione shtesë të nevojshme.
Kasami theksoi se Tetova është komuna e parë në nivel republikan që aplikon një sistem të tillë inovativ dhe unik.
“Hap pas hapi, po krijojmë Tetovën moderne, europiane dhe digjitale, të fokusuar në transparencë dhe llogaridhënie dhe në hap me kohën”, tha ai, duke paralajmëruar se kjo është vetëm pjesë e “Kapitullit të Dytë të zhvillimit” për qytetin.