Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit.
“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, tha Vuçeviq për TV Pink.
Ai është i mendimit se ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke theksuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj, shkruan REL
“A flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A fleni të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe i kanë zgjidhur problemet e tyre me të. Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur ata u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë”, tha Vuçeviq.