Kërcënimi i “UÇK-së” ndaj Gjykatës së Tetovës ka qenë maqedonisht, me shkrim qirilik

Ushtria Çlirimtare Kombëtare kërcënon gjykatën e Tetovës me hedhje në erë me mjet shpërthyes. Kështu thonë nga Policia e Tetovës e cila ka përcjellur edhe mesazhin e lënë tek dera e zyrës së avokates Natasha Janevska që ndodhet pas gjykatës së Tetovës.

“Më 13 prill do të bombardojmë Gjykatën e Tetovës. Në brendi ndodhet sasi e madhe e eksplozivit, mjaft luajtët me popullin”, thuhet në këtë letër. Nga policia e Tetovës thonë se kërcënimi i lënë ka qenë në gjuhën maqedonase.

“Letra ka qenë në gjuhën maqedonase dhe e shkruar me shkrim qirilik”, deklaroi për Gazetën Lajm zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marjan Josifovski.

Kjo letër shkaktoi panik të mërkurën në Gjykatën e Tetovës. Policia menjëherë e ka siguruar vendin dhe pas direktivave të marra nga Prokuroria i ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ndërsa është thirrur edhe njësia e antiterrorizmit në MPB që të kryhet verifikim në tërë objektin dhe rreth tij nëse dhe ku ka mjet shpërthyes.

Josifovski thotë se në ndërkohë janë shuar masat policore për sigurimin e ndërtesës së gjykatës dhe ato masa kanë vazhduar edhe gjatë ditë ssë sotme.

“Kjo për shkak se në letër shkruante se sot do të granatohet gjykata. Mirëpo gjatë tërë ditës nuk ka pasur asnjë problem e as pengesa në zhvillimin e punëve të përditshme në Gjykatë”, theksoi Josifovski, në deklaratën e tij për Gazetën Lajm.

Ndryshe avokatja Janevska nuk është prononcuar rreth këtij incidenti duke thënë që të mos krijohet panikë në mesin e qytetarëve. Nga ana tjetër avokatët tetovarë ndjehen të pasigurtë me këto zhvillime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu