Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, njoftoi se në janar do të udhëtojë në Turqi dhe në Izrael, në një vizitë që vjen pas fillimit të tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, raporton Anadolu Agency (AA).
Bolton tha se në takimet që do të realizojë, do të diskuton çështjet e sigurisë brenda rajonit, si dhe hapat e ardhshëm në luftën kundër DEASH-it ndërsa SHBA-të largohen nga ai rajon.
“Do të bisedojmë për punën tonë të vazhdueshme dhe për sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohen aleatët dhe partnerët tanë në rajon, përfshirë edhe fazën e luftës kundër ISIS-it (DEASH), pasi tërheqjes së trupave amerikane nga Siria”, shkroi Bolton në Twitter.
Të mërkurën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria. Në një video-mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter, ai tha se “është koha që trupat të kthehen në shtëpi”.
Trump mori vendimin gjatë një telefonate me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Njoftimi i Trumpit ishte i papritur për shumë zyrtarë të lartë, përfshirë edhe Boltonin, i cili kishte thënë më herët se SHBA-të nuk do të largohen nga Siria derisa Irani të braktiste atë vend.










