Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht është duke mbajtur mbledhje, ku po caktohen emrat e ministrave në qeverinë Hoti, e cila do të hidhet në votim, këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 11:00.
Burime të Gazeta Blic brenda takimit, bëjnë të ditur se emrat e propozuar për të udhëhequr me dikastere të ndryshme në qeverinë e re, janë bërë publik në mbledhje të kryesisë, ku pas pak pritet të hidhen në votim.
Burimet e Gazeta Blic, bëjnë të ditur se për zv.kryeministër është propozuar Driton Selmanaj, për ministër të Mbrojtjes, Anton Quni, Valbon Krasniqi është propozuar të udhëheq me ministrinë e Shëndetësisë, Hykmete Bajrami me atë të Financave dhe emri i Arban Abrashit është propozuar si ministër i Infrastrukturës dhe Agim Veliu si ministër i Punëve të Brendshme.
Ende nuk janë konfirmuar këta emra, pasi që për t’u bërë një gjë e tillë duhet të hidhen në votim, fakt i cili ende nuk ka ndodhur, por që pritet të hidhen në votim gjatë mbledhjes e cila është duke vazhduar aktualisht.
Gazeta Blic, do ju mbajë të informuar për secilin detaj që do të dalë nga mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në anën tjetër, nënkryetarja e LDK-së, njëherit kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive të dhënë për Gazeta Blic, ka thënë se nuk e përkrah qeverinë Hoti dhe se ajo mendon se Kosovës aktualisht i duhet një qeveri tranzitore.










