Komisioni Evropian ka njoftuar se më 12 tetor nis zbatimi gradual i Sistemit të ri të Hyrje-Daljes (EES) në vendet e zonës Shengen, i cili do të regjistrojë digjitalisht hyrjet dhe daljet e shtetasve nga vendet e treta për qëndrime afatshkurtra në 29 vende evropiane.
Sistemi i ri do të zëvendësojë vulosjen e pasaportave dhe do të mbledh të dhëna biometrike si gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës, duke synuar të përmirësojë kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së, të zbulojë tejkalimet e qëndrimit dhe abuzimet me identitetin.
Implementimi do të zgjasë gjashtë muaj, gjatë të cilëve policia kufitare do të nisë regjistrimin e udhëtarëve jo-BE në të gjitha vendet Shengen.
Nga tetori 2025, EES do të funksionojë plotësisht, duke regjistruar automatikisht çdo hyrje/dalje përmes skanimit dhe të dhënave biometrike.
Çfarë është ETIAS dhe kush e duhet?
EES është pjesë e paketës “Kufijtë inteligjentë” të BE-së, së bashku me ETIAS – Sistemin Evropian për Autorizim të Udhëtimit, i cili kërkohet për udhëtarët nga 59 vende që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Shengen (SHBA, Kanada, Britani, Australi, Serbia, etj.).
Nuk është vizë, aplikimi bëhet online, pa shkuar në ambasadë dhe pa dhënë të dhëna biometrike.
Miratimi vlen për 3 vite ose deri në skadimin e pasaportës.
Për moshat nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç – është falas.
Nga fundi i vitit 2026, çmimi i aplikimit do të rritet nga 7 € në 20 €, për shkak të kostove të larta për infrastrukturën digjitale dhe sigurinë kibernetike. Synimi i BE-së: më shumë siguri në kufij, identifikim më i shpejtë i udhëtarëve dhe procedura më moderne e kontrollit.