Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR ka konsideruar se stërvitjet e ushtrisë serbe në Komunën e Bujanocit, në afërsi me kufirin e Kosovës “nuk përbëjnë kërcënim e as rrezik për sigurinë”, transmeton Anadolu.
KFOR-i në një përgjigje për mediat në Kosovë ka deklaruar se ka qenë i njoftuar për stërvitjet e ushtrisë serbe dhe ato i quajti “aktivitet rutinë”.
“Mund të konfirmojmë se KFOR-i u informua se Forcat e Armatosura Serbe do të kryenin një aktivitet të planifikuar trajnimi që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Ndërkohë, KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon të monitorojë nga afër situatën në të gjithë vendin dhe se mban komunikim si me autoritetet brenda Kosovës, ashtu edhe me shefin e Shtabit të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, i konsideroi shqetësuese demonstrimet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën. S
Sipas tij, Serbia po e përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm, teksa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar “që të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë”.










