Specialistë të fushave mjekësore nga Turqia do të kryejnë operacione të ndërlikuara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të pacientëve të Kosovës gjatë kësaj jave kur në Prishtinë mbahet “Java e shëndetësisë kosovare – turke”, bazuar në një marrëveshjen bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë.
Gjatë kësaj jave, e cila do të zgjas deri më 28 shkurt, 27 specialistë të fushave mjekësore nga Turqia do të kryejnë operacione të ndërlikuara për pacientët e Kosovës në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se organizimi i kësaj jave është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë midis dy shteteve, përkatësisht ministrive respektive, gjithashtu rezultat edhe i angazhimit të ambasadores së Republikës së Turqisë në Kosovë dhe profesionistëve shëndetësor të këtij vendi.
Ambasadorja turke, Kivilcim Kiliç, tha se “Java e shëndetësisë kosovare – turke” është një kontribut i drejtpërdrejt i Turqisë për ta ndihmuar shëndetësinë në Kosovë, duke u nisur edhe nga fakti që Kosova për Turqinë është një vend mik dhe që ndajnë mes veti një histori, tradita dhe kultura të përbashkëta.
Kjo është hera e tretë e një organizimi të tillë, gjatë të cilit, ekspertët mjekësor nga Turqia vijnë në Kosovë për të realizuar operacione të ndërlikuara për pacientët nga Kosova dhe për ta mbështetur shëndetësinë kosovare, krahas ndërhyrjeve, edhe me ligjërata, seminare dhe diskutime të niveleve profesionale.