Klinton pranon se bëri gabim në 1994: Ndihem tmerrësisht keq për këtë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ka shprehur keqardhjen që bindi autoritetet ukrainase të hiqnin dorë nga armët bërthamore në vitin 1994. Sipas Clintonit, Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën nëse Kievi do të kishte ende arsenalin e vet bërthamor.

Ish-presidenti ka folur për luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe ka kujtuar vitin 1994.
“Ndiej një përgjegjësi personale sepse e bëra Ukrainën të pranonte të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore. Dhe asnjëri prej tyre nuk beson se Rusia do të kishte bërë një zgjedhje të tillë nëse Ukraina do t’i kishte ende ato armë”, ka thënë ish-presidenti amerikan në një intervistë për transmetuesin irlandez “Rte”.

Në janar 1994, Clinton pati nënshkruar një marrëveshje trepalëshe me presidentët e atëhershëm të Rusisë, Boris Yeltsin, dhe Ukrainës, Leonid Kravchuk, për çmontimin e arsenalit të armëve bërthamore strategjike që mbetën në tokën ukrainase pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Shtetet e Bashkuara ishin gjithashtu palë në një marrëveshje të nënshkruar në të njëjtin vit që përfshinte Rusinë, e cila do ta respektonte integritetin territorial të Ukrainës.

“E dija që presidenti Putin nuk e mbështeti marrëveshjen e presidentit Yeltsin për të mos shkelur kurrë kufijtë territorialë të Ukrainës, marrëveshje që ai e bëri sepse donte që Ukraina të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore”, ka thënë Clinton.

Ai ka shtuar se kishin frikë nga kjo sepse mendonin se ishte e vetmja gjë që i mbronte nga ekspansionizmi rus.

“Kur u bë e përshtatshme, presidenti Putin theu këtë marrëveshje dhe mori Krimenë i pari. Dhe ndihem tmerrshëm për këtë, sepse Ukraina është një vend shumë i rëndësishëm”, ka vazhduar ish-presidenti amerikan.

Clinton ka thënë se mbështetja perëndimore për Ukrainën duhet të mbetet e qëndrueshme.

“Unë mendoj se ajo që bëri Putini ishte shumë e gabuar dhe mendoj se Evropa dhe SHBA-ja duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën. Mund të vijë një moment kur qeveria ukrainase beson se mund të arrijë një marrëveshje paqeje me të cilën mund të jetojë, por nuk mendoj se duhet të shtyhet nga të tjerët”, ka përfunduar Clinton.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu