Rreth 60 pacientë që janë lënduar në tragjedinë e Koçanit kanë nevojë për trajtim mjekësor ende, ndërsa 40 pacientë aktualisht janë në terapi fizikale, shkruan Alsat.
Një paciente e cila ka qenë për trajtim në Serbi dhe e cila është kthyer në vend, vazhdon të jetë në gjendje më kritike, ka djegie të rënda dhe dëmtim në rrugët e frymëmarrjes.
Drejtoresha e kirurgjisë plastike tha se pacientët të cilët po kthehen së fundmi kanë djegie më të thella, dhe tek disa prej tyre duhet të bëhet transplantimi i lëkurës.
“Shtrirja e lëndimeve që ishin tek pacientët në gjendje më të rënduar dhe që kthehen së fundmi është se djegiet janë shumë të thella, me plagë shumë të thella dhe tek ata duhet trajtim më i gjatë dhe sigurisht periudha e rehabilitimit tek ata pacientë është pak më gjatë”, tha Jasmina Gjorgjievska Pavllovska, Drejtoreshë e klinikës së Kirurgjisë Plastike.
45 mjekë janë trajnyuar nga ekspertë të djegieve nga Britania e Madhe se si të kujdesen për pacientët në periudhën e ardhshme.
Ndërsa nga nesër specialistë të klinikave vendore do të bëjnë vlerësim të gjendjes shëndetësore tek pacientët që janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.
“Ekip i ekspertëve në Britania e Madhe në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë kanë realizuar trajnime intensive për 45 punonjës shëndetësorë në shumë institucione shëndetësore, më saktësisht në pesë prej tyre, për rehabilitim fizikal dhe psikologjikë për pacientët e lënduar. Bëhet fjalë për Klinikën e Kirurgjisë plastike, më pas klinika “8 Shtatori”, dhe Klinikat në Shtip dhe Koçanë”, u shpreh Jovica Andonovski, Zv/ministër i Shëndetësisë.
Autoritetet e vendit do të kërkojnë mendim mjekësor edhe nga ekipi i ekspertëve nga Izraeli, se si të vazhdohet më tej me trajtimin e plagëve tek pacientët e lënduar.
“Rreth 115 pacientë janë dërguar jashtë vendit për shërim, prej atyre 115 për momentin për shërim jashtë vendin janë 11, ndërsa nevojë për shërim në vend kanë edhe 7 pacientë, pra 18 pacientë janë ende me djegie të pa shëruara, të cilët kanë nevojë për trajtim kirurgjik” , tha Sasho Klekovski, Drejtor i Fondit Shëndetësor.
Pacientët e lënduar në tragjedinë e Koçanit vazhdojnë ende të marrin ndihmë psikologjike. Ndërsa u rekomandohet që të mos ekspozohen në diell. / Alsat.mk