KOMENT/ Zaev kërkesat e shqiptarëve i konsideron si “të këqijat e botës”?!

Gjatë një konference për shtyp ditën e sotme Kryeministri Zaev shprehu qëndrim negativ ndaj kërkesave të opozitës shqiptare për ndryshimet shtesë në Kushtetutë, duke theksuar se nuk do të lejojë zgjerimin e “Kutisë së Pandorës”.

Me siguri nuk do të lejojmë zgjerimin e Kutisë së Pandorës në Kushtetutë. Këtë e dinë të gjithë, radha është që unë këtë ta konfirmoj. Parlamenti është ai që vendos. Ne jemi vetëm propozues. Por, në kuadër të, të gjitha këtyre gjërave, unë çdoherë qëndroj në dispozicion që të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, për të cilën angazhohemi, e jo të veprojnë në ndonjë mënyrë tjetër në momente kur sillen vendime të rëndësishme, pas të cilave qëndrojnë të gjithë”, ishte deklarata e kryeministrit Zaev, gjatë ditës së sotme, shkruan InfoShqip.com

Zaev sot kërkesat legjitime të shqiptarëve i krahasoi me “Kutinë e Pandorës” ku sipas mitologjisë greke thuhet se kur u bë hapja e “Kutisë së Pandorës”, të gjithë të këqijat e botës dolën në shesh, kjo mitologji lidhet me Zeusin i cili ia kishte dhënë Pandorës kutinë me porosinë që mos ta hapi atë.

Kështu që kryeministri Zaev pasi e miratoi nismën për ndryshimet kushtetuese, ku rol kryesor patën edhe votat e opozitës shqiptare dhe VMRO u zhyt akoma më shumë në krizë dhe votat e deputetëve shqiptarë nuk janë më edhe aq të rëndësishme, katër amendamentet propozuara nga opozita tashmë  nuk kanë shumë rëndësi për kryeministrin Zaev. Gjithashtu Zaev nuk duhet ti harrojë se para disa viteve kur hapte kutitë e votimit dhe numëronte votat shqiptare për partinë e tij, sigurisht që nga ajo kuti për atë dhe LSDM dilnin të mirat e botës duke e bërë atë kryeministër.

Është për të ardhur keq pasi Zev me votat shqiptare arriti ti afrohet VMRO-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, po me votat e deputetëve shqiptarë arriti të vijë në pushtet dhe po me votat e deputetëve shqiptarë e “mbajti pushtetin” duke miratuar nismën për ndryshimet kushtetuese, dhe si përfundim Zaev shqiptarët i “shpërblen” duke ju thënë se kërkesat tuaja janë “të këqijat e botës” me krahasimin që ai i bëri me  “Kutinë e Pandorës”. /InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu