Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi se të mërkurën pritet që përveç konstituimit të Kuvendit të Kosovës të hidhen hapat edhe për formimin e Qeverisë së re, duke shprehur optimizëm për përmbylljen e shpejtë të procesit institucional.
Duke folur për mediat, Konjufca theksoi se subjekti i tij politik do të veprojë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht përplasjeve politike që mund të kenë paraprirë. “Nesër do të bëhet Kuvendi dhe shumë shpresoj që do të bëhet edhe Qeveria. Ne kurrë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Kushtetueses. Kanë qenë beteja politike, por kur i ka dhënë vulë Kushtetuesja, ne jemi tërhequr”, u shpreh ai.
Seanca konstituive e legjislaturës së re është thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për 11 shkurt në orën 12:00. Në këtë seancë pritet verifikimi i mandateve të deputetëve dhe betimi i tyre, çka i hap rrugë zgjedhjes së organeve drejtuese të Kuvendit dhe më pas procedurave për formimin e ekzekutivit të ri.
Procesi i ngritjes së institucioneve po ndiqet me vëmendje, pasi pritet të përcaktojë ritmin e krijimit të shumicës parlamentare dhe stabilitetin e ardhshëm qeverisës në vend.(INA)










