Çarshia e Vjetër zë një vend të rëndësishëm në Strategjinë për zhvillimin katërvjeçar të komunës së Çairit. Përveç intervenimeve të planifikohen në objektet e kësaj zone, Kontrata e kandidatit të Bashkimit Demokratik për Integrim për kryetar të komunës Visar Ganiu ndër të tjera përfshin edhe një sërë masash dhe regjime të reja oraresh të cilat kanë si qëllim rikthimin e saj në një atraksion turistik dhe zonë të sigurt për vizitorët. Një vend që do të frekuentohet jo vetëm për monumentet e trashëgimisë kulturore dhe artistike, muzetë dhe galeritë, por edhe objektet gastronomike dhe hotelerike, si edhe aktivitetet e tjera të artizanatit dhe ato afariste në përgjithësi. Si shtylla të rëndësishme për zhvillimin e kësaj zone janë ndërhyrjet në mirëmbajtjen e ambienteve të saj, përkatësisht rrugicave të shtruara me kalldrëm, si edhe dyqaneve karakteristike.
Rikonstruktimi i kalldrëmit dhe restaurimi i vitrinave dhe dyqaneve janë dy prej pikave që përmban Kontrata. Në Kontratë, përkatësisht në Strategjinë prej 11 pikash për zhvillimin e komumës jepen në formë të detajuar kostoja e ndërhyrjeve, për të cilën buxheti që duhet të vihet në dispozicion parashikohet të arrijë deri në 55 milionë denarë.
“Me këtë strategji parashikohet mirëmbajtja e vazhdueshme e Çarshisë përmes restaurimit dhe rikonstruktimit të pjesëve të veçanta të saj. Rinjohja dhe respektimi i historisë kontribuon rreth njohjes së të vërtetës së deritanishme, ndërsa mirëmbajtja e objekteve historike është një kontribut i rëndësishëm ndaj kulturës së një populli”, thuhet në Kontratë në kapitullin Çarshia e vjetër.
Por kandidati Ganiu ka prezantuar edhe masa të tjera që supozohet se do të ndikojnë pozitivisht në fuqizimin ekonomik të saj dhe në gjallërimin e jetës. Gjatë një takimi me përfaqësues të Esnafit të Çarshisë ai ka bërë me dije se regjimi i ri orarit të funksionimit të dyqaneve do të mundësojë punën me dy turne, në mënyrë që subjektet tregtare të jenë të hapura deri në mesnatë. Kjo masë do të sigurojë edhe frekuentimin më të madh të njerëzve, jo vetëm gjatë ditës, por edhe deri në orët e vona të natës. Po ashtu një tjetër propozim është edhe tregtimi i artikujve dhe mallrave të brenduar të konsumit të gjerë në dyqanet e Çarshisë do të krijojë një dimension të ri dhe premisa për një zhvillim më të fuqishëm ekonomik për këtë zonë, që kryesisht është e njohur për tregtimin e artikujve artizanalë dhe gastronomikë.
Gjatë takimit me përfaqësues të Esnafit të Çarshisë ata kanë mbështetur idetë dhe kontratën e kandidatit Visar Ganiu. Më intriguese për ta ka qenë propozimi për zgjatjen e orarit të punës për dyqanet.
“KONTRATA për Çairin në vete përmban projekte edhe për Çarshinë e vjetër të Shkupit, projekte këto që presim t’i realizojmë bashkë me Esnafin, sepse ata dinë më së miri të këshillojnë kur bëhet fjalë për ndonjë projekt që realizohet në hapësirat e Çarshisë“, ka thënë Ganiu.
Ai po ashtu i ka premtuar se për çdo problem, ide dhe propozime të reja që do të kenë ai me ekipin e tij do të jenë gjithmonë në dispozicion . Në këtë takim me afaristët e Çarshisë ai shoqërohej edhe nga kryesuesi i listës së këshilltarëve në qytetin e Shkupit, Besnik Ajeti, i cili po ashtu i siguroi në mbështetjen që do të kenë edhe në Qytetin e Shkupit për realizimin e projekteve të tyre dhe rimëkëmbjen e vazhdueshme të të gjitha artizanateve dhe fuqizimit ekonomik të tyre.
“Do të jemi zëri juaj në Qytetin e Shkupit”, ka siguruar Ajeti./InfoShqip.com










