Kosova dhe SHBA thellojnë partneritetin, Osmani: Bashkëpunimi në përputhje me vizionin e Trumpit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit Christopher Landau, ku u diskutua bashkëpunimi ekonomik dhe përkushtimi i përbashkët për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Presidentja Osmani ka falënderuar për mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimin e hapur në Washington nga Zëvendës Sekretari i Shtetit, Christopher Landau.

“Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani ka thënë se ky takim është për më shumë siguri, më shumë zhvillim e më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona.

“Më shumë siguri. Më shumë zhvillim. Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, ka thënë Osmani.

Ndërsa zv.Sekretari i Shtetit në një postim zyrtar në rrjetin “X”, ka theksuar se me presidenten Osmani kanë biseduar për fushat e bashkëpunimit.

“Në takimin tim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, diskutuam për fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik dhe shprehëm besimin se zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi ndihmojnë në largimin e Ballkanit Perëndimor nga ndarjet e së kaluarës, duke promovuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, ka shkuar ai.

Ky takim vjen në një kohë kur Kosova synon të zgjerojë bashkëpunimin me SHBA-në jo vetëm në aspektin diplomatik dhe të sigurisë, por edhe në drejtim të investimeve dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Të dyja palët u pajtuan për rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve afatgjata, si themel për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të integruar në strukturat euroatlantike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu