Analisti Gani Qarri, në një prononcim dhënë së fundi gazetës “Bota sot”, ka thënë se shteti i Kosovës është i mbushur plot me spiunë serbë, ku së fundi u arrestua edhe Fatmir Sheholli, si i dyshuar si agjent i BIA-s serbe në Kosovë.
“Pas agresionit terrorist serb në Banjë të Zveçanit, duket se Serbia përmes spiunëve shqipfolës në shërbim të BIA-së ka avancuar dukshëm dhe shumë më tepër se sa ne mund të kemi besuar, në luftën e saj hibride mediale dhe agjenturore, duke arritur jo vetëm të ndikojë, por ndokund edhe të diktojë drejtpërdrejtë, që nga qendrat mediale, bizneset e varura nga firmat serbe e deri te emra të dyshuar të kastës politike. Fatkeqësisht duket se vendi ynë është mbushur me spiunë të infiltruar nga kriminelët e niveleve më të larta, të blerë me dinarë serbë për imponimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, shprehet Qarri.
“Arrestimi i spiunit të Serbisë, Fatmir Sheholli, 26 vite pas lufte, dëshmon se tradhtia dhe tradita e spiunimit në disa familje e persona janë përcjellë nga brezi në brez, siç vërtetohet edhe me rastin e Fatmir Shehollit, i cili duket se ‘zanatin’ e spiunimit e trashëgoi nga i ati, Maliq Sheholli, i vrarë në vitin 1998 për bashkëpunim me okupatorin dhe spiunazh për regjimin okupator serb të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa përgjegjësinë për vrasjen, përmes një komunikate të lëshuar asokohe, e kishte marrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Edhe vetë Sheholli, në një intervistë të cilën e kishte dhënë në vitin 1999 në Beograd për anëtarët e të ashtuquajturit ‘Delegacion Amerikano-Verior për solidaritet me Jugosllavinë’, kishte deklaruar nga Beogradi se: UÇK-ja më vrau babanë sepse e quajtën ‘tradhtar’ dhe e vranë vetëm që mbështeti Jugosllavinë dhe qeverinë serbe, e jo regjimin e UÇK-së…”, shton analisti Gani Qarri.
Sipas tij, është e çuditshme se Fatmir Sheholli kishte punuar edhe për SHIK-un e Kadri Veselit.
“Fatmir Sheholli, që në publik ekspozohej vetëm si përfaqësues i shoqërisë civile ‘Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike’, në vitet e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia ka punuar pandërprerë për UDB-në – Sigurimin Shtetëror të Serbisë, kurse pas lufte, çuditërisht thuhet se ka punuar për ‘SHIK-un’, megjithëse ai gjithmonë jo vetëm është përfolur nga njerëzit që e njihnin nga afër, por edhe është dëshmuar me fakte se ka pasur dhe mbajtur lidhje të vazhdueshme agjenturore të spiunazhit me Serbinë. Për aq më tepër, pas vitit 1993, Sheholli ishte caktuar nga regjimi pushtues i Millosheviqit të punonte edhe në Radio Prishtinë, kohë kur figurat tradhtare zinin vendet e gazetarëve dhe reporterëve patriotë shqiptarë, të dëbuar nga puna prej organeve të dhunshme të Serbisë okupatore”, nënvizon Qarri.
Më tej, ai thotë se spiunazhi në favor të Serbisë është fuqizuar në Kosovë, për çka është një alarm për shtetin tonë.
“Andaj problemi i spiunazhit në favor të Serbisë, kohët e fundit duket se është tepër i thellë dhe i fuqizuar jashtë mase, gjë që hetimet e drejtësisë ndoshta do ta vërtetojnë më së miri. Por lind pyetja e patejkalueshme dhe shumë e dyshimtë se si u lidhën kaq fort dhe pashkëputshëm figurat kryesore udhëheqëse të të ashtuquajturave parti të dala nga lufta, deri te matrapazët më të zhurmshëm, si Berisha me spiunin Fatmir Sheholli. Lidhja e tij me spiunin Sheholli kishte bërë që para dy-tre vitesh, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, t’ia tërhiqte vërejtjen në mënyrë publike deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, që të mos vazhdonte të rrinte as të shoqërohej me spiunin e Serbisë, Fatmir Sheholli”, thekson Qarri.
“Vetë fotografitë e publikuara këto ditë dëshmojnë se spiuni i Serbisë, Fatmir Sheholli, përveç Hisen Berishës, gëzonte ‘besueshmëri’ të plotë dhe kishte miqësi të madhe edhe me Lutfi Hazirin, Daut Haradinajn, Agim Bahtirin etj… Duke pasur parasysh ekspozimet e Lutfi Hazirit sa u takon qëndrimeve politike për veriun e Kosovës, si dhe afrinë e tij të madhe me PDK-në, as që është më rastësi, por më tepër del të jetë një koordinim veprimesh konspirative, me pjesëmarrës nga të gjitha partitë, të cilat duhet hetuar thellë dhe gjithanshëm nga sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor i Republikës së Kosovës, se çfarë në fakt i lidhte këta njerëz kaq shumë me Fatmir Shehollin dhe cilat ishin arsyet e vërteta që ata ishin ‘dashuruar’ kaq fort në këtë spiun të Serbisë”, përfundon analisti Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.