Kosovë, kryeministri Hoti emëron Besnik Tahirin ministër të Punëve të Jashtme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka emëruar ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zv/kryeministrin e parë të Qeverisë, Besnik Tahiri.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës në një njoftim për media njoftoi se emërimi i Tahirit në këtë pozitë, i cili është nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vjen pas dorëheqjes së ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla gjatë ditës së sotme nëpërmjet një letre i ka ofruar kryeministrit në detyrë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e ministres, ku më pas Hoti e ka liruar atë nga detyra.

Haradinaj-Stublla nëpërmjet rrjeteve sociale tha se dorëheqja e saj nga pozita e ministres dhe nga të gjitha pozitat në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vjen pasi ajo ndodhet “në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit” ndaj saj dhe familjes së saj.

Ajo ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit ta ndriçojë vërtetësinë e një videoje që u bë publike ditëve të fundit nga mediat e vendit nëpërmjet të cilës u ngrit dyshimi se bashkëshorti i saj ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve të tjerë të AAK-së duke i regjistruar në emër të Meliza Haradinaj-Stublla.

Dje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Florentina Gjergjaj dhe ka urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që të rinumërojë të gjitha votat me kusht dhe ato nga diaspora, që i ka siguruar në zgjedhje AAK-ja. Ky rinumërim, tha Haradinaj-Stublla, është një hap përpara “zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit” të saj në vjedhjen e votave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu