Kosovë, nisin punimet e rrugës së parë me tetë korsi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku sot bëri inaugurimin e fillimit të punimeve për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Veternik (rruga në hyrje të Prishtines), e cila do të jetë rruga e parë në Kosovë me 4 korsi në një drejtim, pra 8 korsi në të dy drejtimet, raporton Anadolu Agency(AA).

Kryeministri Mustafa njoftoi se me këtë projekt rruga e hyrjes në kryeqytet do të zgjerohet dhe punimet për njërën anë të rrugës janë paraparë të përfundojnë brenda një periudhe katër mujore ndërsa tjetra anë mund të përfundojë brenda tre muajve.

“Më vjen mirë që po hapet hyrja në Prishtinë sepse ne këtë e konsiderojmë si investim për kryeqytetin. Eshtë një hyrje e cila është madhështore jo vetëm në parje por madhështore edhe në pikëpamje të funksionimit sepse do t’i kemi dy rrugë nga katër korsi dhe gjithë infrastrukturën tjetër për këmbësorë dhe biçiklistë”, tha Mustafa.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku theksoi se kjo do të jetë rruga e parë në Kosovë me katër korsi nga të dyja anët.

”Kjo rrugë do ta ketë edhe shtegun e biçiklistëve, ndriçimin si dhe trotuarin për këmbësorë që është një investim prej 3 milionë eurosh. Përpos kësaj ne kemi filluar çlirimin e trafikut të Prishtinës. Në fund të vitit 2015 kemi patur anashkalimin që lidhet me autostradën ‘Ibrahim Rugova’ dhe autostrada që vazhdon drejt Shkupit. Në procedurë është zgjerimi prej urës së Veternikut deri tek Pallati i Drejtësisë”, tha Zharku.

Ndryshe, ky segment rrugor do të zgjerohet në të dy anët e rrugës me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi. Projekti është paraparë të realizohet me 2 llote. Lloti 1 do të jetë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i majtë i rrugës, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash, ndërsa lloti 2 është drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi të njëjtë prej 1.5 kilometrash.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu