Kosovë, prezantohet projektligji për kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit

Ministria e Drejtësisë ka prezantuar projektligjin e ri për Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), i cili fuqizon me kompetenca shtesë dhe ndryshon në disa pika këtë agjenci e cila merret me parandalimin dhe hetimin e korrupsionit në Kosovë. Një gjë e tillë, siç tha ministri Drejtësisë, Selim Selimi, vjen në kuadër të shënimit të javës kundër korrupsionit.

Selimi tha se synimi i projektligjit ka qenë për t’i ikur çfarëdo dualizimi të kompetencave të organeve tjera ligj-zbatuese në fushën e parandalimit të korrupsionit. Ndërkaq, për hartimin e këtij projektligji janë marrë parasysh amendamentet dhe raportet nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare si dhe shoqëria civile.

Përmes këtij projektligji agjencia vishet me kompetenca në funksion të parandalimit të korrupsionit, duke përcaktuar përfundimisht një kornizë efektive anti-korrupsion. Dhe nga ana tjetër përcakton kompetencat ligjore të agjencisë në fushën e parandalimit të korrupsionit, veçanërisht në fushën e hetimeve administrative, në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesit, procesit të deklarimit të pasurisë dhe dhuratave dhe çështjet që ndërlidhen me sinjalizuesit”, theksoi Selimi.

Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, tha se në të ardhmen agjencia së cilës do t’i ndërrohet emri në Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, do të ketë më shumë kompetenca në parandalimin sesa në hetimin e korrupsionit.

Agjencia do të merret vetëm me hetimin e rasteve që lidhen me mbrojtjen e sinjalizuesve, rastet me konflikt interesi si dhe rastet që dalin nga deklarimi i pasurisë. Kjo do të jetë veprimtaria kryesore e agjencisë. Ajo nuk do të merret me hetime të pavarura të korrupsionit që deri më tani ka trajtuar dhe kryesisht do ta ketë funksionin e parandalimit”, theksoi Havolli.

Havolli gjithashtu tha se projektligji i ri i jep kompetenca kësaj agjencie të merret edhe me zbrazëti ligjore në legjislacion, me vlerësim të rrezikut anti-korrupsion dhe sensibilizim të publikut lidhur me çështjet e korrupsionit.

Gjithashtu në konferencë u paralajmërua edhe ndryshimi i një ligji tjetër rreth deklarimit të pasurisë, ku nga 5 mijë zyrtarë të cilët deklarojnë pasurinë aktualisht në Kosovë do të shtohen edhe zyrtarë të tjerë përfshirë: policë, doganierë, zyrtarë të administratës tatimore, inspektorë të ndërtimit, inspektorë të tregut, profesorë universitarë dhe mjekë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu