Kreu i Gostivarit viziton Llaskarcën, një investim simbolik në shenjë mirënjohjeje (VIDEO)

Në shenjë faleminderimi dhe mirënjohjeje ndaj banorëve të Llaskarcës për kontributin e dhënë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 15 banorë të Gostivarit, kryetari i kësaj komune, Arben Taravari, ishte sot për vizitë në vendin e ngjarjes. Taravari tha se po zhvillon bisedime me banorët, pas çka do të vendosin se çfarë do të ndërtojë komuna e Gostivarit në këtë vend.

Ai tha se ky do të jetë një investim simbolik që do të shërbente si një urë lidhëse mes Gostivarit dhe Llaskarcës. Përveç kësaj, shtoi ai, do të bëjë një propozim tek këshill i komunës , që një rrugë në Gostivar, të marrë emrin “Fshati Llaskarcë”, por detaje për këtë do të jep në ndonjë rast tjetër.

Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit
“Si komunë e Gostivarit në shenjë respekti dua të bëjmë një punë që do ta mbajmë dhe do ta lidhë komunën e Gostivarit dhe Llaskarcës. Do të ulemi të bisedojmë dhe shpresoj se një gjë do të investojmë këtu. Do të bashkëbisedoj me fshatarët çfarë mendojnë ata që është e nevojshme, domethënë kjo nuk don të thotë se ne investojmë para të mëdha, thjesht është një shenjë me të cilën do të tregojmë se u faleminderohemi. Mund të bëjmë një bust, një rrugë ose një send që komuna e Gostivarit me paratë modeste që i ka të investon, vetëm të tregojë një respekt.”

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Llaskarcës, Samet Misini, faleminderon Taravarin për vizitën, dhe thotë se kjo është mënyra më e mirë për të ndarë dhimbjen së bashku.

Samet Misini, kryetar i Bashkësisë Lokale të Llaskarcës
“Ne sot kontribuam që ta presim kryetarin e komunës, ta ndajmë dhimbjen së bashku se dhimbja është e juaja, e Gostivarit, por edhe ne kemi përjetuar një dhimbje të madhe këtu, si fshatarë të Llaskarcës, faleminderoj shumë kryetarin që ndau kohë për një vizitë.”

I pyetur nëse e ka takuar shoferin e autobusit të aksidentuar dhe çfarë mendon lidhur me shkaqet e aksidentit. Taravari tha se atë e ka takuar vetëm ditën e parë kur ka ndodhur ngjarja, ndërkaq lidhur me shkaqet, tha se për këtë punë me detaje douhet të dalin organet kompetente. Ai nënvizoi se të gjithë qytetarët e Maqedonisë e meritojnë t’i kuptojnë shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje, duke u bërë thirrje institucioneve që ta kthejnë besimin e qytetarëve.

Arben Taravari, Kryetar i Komunëa së Gostivarit
“Natën e parë e kam takuar shoferin e autobusit, ishte në gjendje relativisht të mirë shëndetësore, për gjëra tjera nuk dua të bisedoj, atë natë nuk ishte momenti se çfarë ka ndodh, si ka ndodh, vetëm e pyeta se si është me gjendjen shëndetësore. Dëshiroj dhe uroj që institucionet e shtetit të nisin të funksionojnë dhe të hulumtojnë rastin. Nuk duheshte kjo të ndodh që institucionet e shtetit të fillojnë të funksionojnë, por nëse është deshtë që të ndodh, është rast tragjik pas të cilit, duhet të ua kthejmë besimin njerëzve dhe e meritojnë njerëzit e Republikës Maqedonisë së Veriut ta dijnë të vërtetën e asaj nate, çfarë ishte arsyeja për atë ngjarje. Shpresoj se do ta kuptojmë ta vërtetën. ”

Taravari tha se kjo ngjarje do të mbetet mend për një kohë të gjatë, aq sa do të jetë edhe lidhja mes banorëve të Gostivarit me ata të Llaskarcës./SHENJA/

VIDEO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu