Kryeministri Kurti pas takimit me presidentin Vuçiç: Propozova marrëveshje të paqes, por u refuzua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ka deklaruar se është refuzuar propozimi i tij i një marrëveshjeje me gjashtë nene ende pa u lexuar nga pala serbe.

Në një deklaratë për media pas takimit, Kurti tha se marrëveshja e propozuar nga ai ishte deklaratë e paqes e përgatitur “në mënyrë të balancuar”, ndërsa përmbante gjashtë nene.

Marrëveshja u refuzua ende pa u lexuar. Dhe për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, me qenë se u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti.

Po kështu, Kurti tha se zv/kryeministri Besnik Bislimi ka lexuar 11 pika të cilat paraqesin barriera që i vendos Serbia ndaj Kosovës në aspektin tregtar me qëllim të kërkesës për eliminimin e tyre, mirëpo Kurti tha se pala serbe nuk ka dashur të dëgjojë as për to.

Ai po ashtu njoftoi se në takimin e sotëm janë dakorduar që në fund të gushtit të takohen përfaqësuesit e delegacioneve të të dyja vendeve dhe në shtator të ketë takim mes krerëve të dy vendeve.

Duke folur për atmosferën e takimit me presidentin serb, kryeministri kosovar tha se ka qenë pothuajse i njëjtë nga takimi i kaluar, me qenë se nuk është pranuar që të diskutohet për togfjalëshin “ballafaqim me të kaluarën”, ku përfshihet diskutimi rreth të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë.

Sa i përket kësaj çështje, Kurti tha se Kosova ka angazhuar Andin Hotin për çështjen e të pagjeturve, ndërsa Serbia ka angazhuar Velko Odalloviçin, për të cilin kryeministri kosovar tha se ka qenë “udhëheqës i okupimit në Kosovë”.

Para takimit të dy delegacioneve, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme, Josep Borrell, mbajti një adresim të shkurtër ku shprehu optimizmin për takimin e sotëm, duke theksuar se pavarësisht të kaluarës së dhimbshme mes vendeve duhet të shikohet nga e ardhmja pasi ajo është më e rëndësishme.

Ky ka qenë takimi i dytë midis kryeministrit Kurti dhe palës serbe në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu