Nuk është kryeministri i ndonjë shteti evropian por kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa që për shkak të situatës të rënduar politike ka vendosur të mos marrë pushim vjetor edhe këtë vit. Ky është viti i dytë i kryeministrit që nuk po shkon me pushime, edhe pse ndryshe nga viti i kaluar këtë vit ish partneri i koalicionit Partia Demokratike e Kosovës sëbashku me opozitën e kanë pushuar nga puna. E megjithatë ai vendosi të punojë pavarësisht “tradhëtisë” së PDK-së.
Këtë e ka konfirmuar për albeu.com edhe këshilltari i kryeministrit Faton Abdullahu i cili tha se edhe këtë vit Kryeministri Mustafa nuk ka qenë në pushim vjetor.
“Arsyeja kryesore për këtë është intensiteti i punëve në Qeveri të cilat në forma të ndryshme kërkojnë nga ai angazhim të pa shkëputur. Tash së fundi janë shtuar edhe shumë angazhime tjera të cilat janë të ndërlidhura me përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja, të cilat gjithashtu e mbajnë shumë të angazhuar Kryeministrin pa krijuar hapësirën optimale për pushime.” ka thënë Abdullahu.
Por, edhe vitin e kaluar nxehtësia e stinës të verës nuk e ka tërhequr Mustafën me shumë së nxehtësia e çështjeve që ishin për tu zgjidhur, si demarkacioni me Malin e Zi, duke ia pamundësuar daljen në pushim vjetor. Ai edhe vitin e kaluar nuk mundi të shfrytëzonte pushimin vjetor gjatë sitnës së verës.
Por ndryshe nga Mustafa, kandidati për kryeministër i koalicionit fitues PAN dhe sipas gjasave kryeministri i ardhshëm i Kosovës Ramush Haradinaj e ka shfrytëzuar stinën e verës për të pushuar në dhërmi ose Shëngjin.
Ky veprim i Haradinajt ishte kritikuar edhe nga Deputeti i koalicionit LAA, Driton Selmanaj, i cili është shprehur se problem në Kosovë nuk ka qenë Kushtetuta, por politikat që po zhvillohen.
Para pak ditësh në tryezën e organizuar nga ky koalicioni, Selmanaj tha se kur është bë Kushtetuta e kur është marrë vendimi nga Gjykata Kushtetuese nuk është parashikuar nga askush që atë ditë kur mbahet seanca konstituive, kandidati për kryeministër shkon në plazhet e Shëngjinit me u rrezit, duke aluduar në Ramush Haradinajn.
Kurse Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, edhe pse ditore, këtë verë ka preferuar të pushojë në bjeshkët e Sharrit duke ecur.
Përmes një statusi në Facebook, ai ka treguar se ndodhet në bjeshkë duke ecur në një natyrë të mrekullueshme ku në mes të korrikut edhe pse temperaturat janë të larta, në atë pjesë të Kosovës duket edhe bora.
Ende nuk ka një datë se kur koalicioni fitues PAN do të fillojë të formojë institucionet e Kosovës. Pavarësisht deklarimeve se janë bërë votat për tu formuar qeveria koalicioni PAN vazhdimisht ka kërkuar të shtyhet seanca ku do të duhej të zgjidhej kryetari i kuvendit. Nga ana tjetër koalicioni LAA e Vetëvendosje kanë filluar negociatat për bashkëpunim.










