Kryeministri teknik shkarkoi dy ministra shqiptarë pasi dolën ne opozitë! A do ta shkarkojë edhe Angellovin?

A do të shkarkohet Stojançe Angellov nga posti drejtor i Qendrës për menaxhim me kriza, pasi dje komunikoi se partia e tij ka braktisur koalicionin me LSDM-në dhe ka hapur mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të bashkëpunojë me VMRO DPMNE-në!?

Kryeministri Talat Xhaferi thotë se nesër do të flet me të, dhe nëse është e vërtetë do ta shkarkojë.

“Nëse publikisht ka paralajmëruar se nuk qëndron prapa programit qeveritar, në aspekt formal s’do mend se si kryeministër do të nisi procedurë të caktuar në kontekst të pikës kadrovike, për të marr edhe vendimin e duhur. S’do mend që ajo që thuhet në televizion nuk është për ta filluar nismën, por unë ditën e nesërme para Qeverisë do ta komunikoj drejtpërdrejtë drejtorin dhe të shprehet drejtpërsëdrejti. Kështu që, si do që të jetë unë mendoj se do të përmbyllet me shkarkim, s’ka tjetër rrugë, a për procedurat që jemi në zgjedhje duhet që t’ i zgjidh tjetër organ”, tha Xhaferi.

Për kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, lëvizja e Angellovit është normale, por nuk komentoi nëse duhet të shkarkohet?

“Mirë, se tani është edhe koha e merkatos”, tha Ahmeti.

Kryetari i partisë “Dinjiteti” Stojançe Angellov, në profilin e tij në Facebook, njoftoi se shkak për braktisjen e koalicionit, janë kërkesat e paplotësuara për kompensimin e dhjetëra invalidëve të luftës nga konflikti i vitit 2001.

Ndryshe, kur Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu u rreshtuan pas koalicionit VLEN, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Talat Xhaferi i shkarkoi nga funksioni i ministrit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu