Në kuadër të Samitit inaugural “Balkans Forward” të organizuar nga Atlantic Council më 5 shkurt 2026 në Uashington, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mbajti një fjalim të rëndësishëm duke theksuar rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal dhe bashkëpunimit transatlantik për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, shkruan InfoShqip.com
Në panelin ku ai mori pjesë, me temë “Avancimi i integrimit ekonomik në Evropën Juglindore”, Gashi nënvizoi se vendet e rajonit duhet të punojnë së bashku për rritje ekonomike dhe tërheqje investimesh nga partnerët ndërkombëtarë. Samiti trajtoi gjithashtu prioritete të tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë politikat amerikane për rajonin dhe angazhimin transatlantik.
Për partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, kryeparlamentari Afrim Gashi tha se “Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet aleat i përkushtuar i NATO-s dhe partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siguria e sotme është një detyrë e përbashkët dhe unë besoj se bashkëpunimi i fortë transatlantik është çelësi i stabilitetit për Ballkanin Perëndimor.”
Ai poashtu foli edhe për integrimin ekonomik dhe rajonal ku theksoi se “Në një kohë kur sfidat globale ndikojnë ekonomitë tona, ne duhet të theksojmë bashkëpunimin rajonal ekonomik. Integrimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor duhet të jetë një prioritet i përbashkët për të siguruar zhvillim, konkurrueshmëri dhe prosperitet.”
“Qëllimi im kryesor në këtë vizitë zyrtare është të forcoj bashkëpunimin midis institucionit tonë dhe partnerëve strategjikë në Uashington – duke përfshirë kongresmenë, organizata ndërkombëtare dhe OJQ-të që mbështesin demokracinë dhe transparencën.”
Ndërsa sa i përket angazhimit në siguri dhe institucione Gashi tha se “Investimet në mbrojtje, modernizimin e institucioneve dhe interoperabilitetin janë themel për sigurinë kolektive dhe rolin kyç të vendit tonë në rajon, si pjesë e aleancave euro-atlantike.”
Samiti Balkans Forward ofroi një forum për diskutime të thella mbi zgjidhjet politike, ekonomike dhe strategjike për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë perspektivën e BE-së, politikën e SHBA-s dhe rolin e aktorëve rajonalë në vitin 2026.










