Hasanbegu shumë shpejt do të ketë çerdhen e tij të parë! Lajmi është konfirmuar edhe nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili në një status të fundit ka shprehur entuziazmin e tij për këtë zhvillim të shumëpritur nga banorët e kësaj zone të Gazi Babës.
“Para disa muajve paralajmëruam, ndërsa sot çerdhja e parë në Hasanbeg po bëhet realitet”, shkroi Gashi, duke vlerësuar marrëveshjen e nënshkruar mes Ministrisë përkatëse dhe tetë komunave për ndërtimin dhe adaptimin e objekteve për mbrojtje të fëmijëve dhe përkujdesje sociale.
Në mesin e tyre përfshihet edhe ndërtimi për herë të parë i një çerdheje në fshatin Hasanbeg, një investim që Gashi e cilëson si veçanërisht të rëndësishëm për banorët lokalë.
“Si dikush që vjen nga kjo komunë dhe që e njeh mirë nevojën për investime të tilla, ndihem veçanërisht i gëzuar për këtë hap të rëndësishëm për familjet dhe fëmijët tanë”, theksoi ai.
Ai përfundoi mesazhin e tij me një falënderim për bashkëpunimin ndërinstitucional, duke thënë: “Kur institucionet bashkëpunojnë, rezultatet nuk mungojnë. Urime!”
Ky është një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të kushteve jetësore dhe sociale për qytetarët, në veçanti për prindërit dhe fëmijët e kësaj zone periferike të Shkupit.