Kryesia e BDI-së: Ministrat me prezantim voluminoz, Ahmeti propozon rendin e ditës

Nesër në orën 14:30 pritet të fillojë Mbledhja e Kryesisë së re të BDI-së, ku ministrat nga radhët e kësaj partie do të japin llogari për punën e tyre në ekzekutiv.

Burime të TV21 tregojnë për pikat e axhendës së nesërme. Pritet që kryetari i partisë, Ali Ahmeti të propozojë këtë rend dite:

1.Informim i Kryetarit te BDI-së rreth situatës politike ne vend;

2.Konstituimi i Sekretariateve te partisë;

3.Raporti i punës se ministrave, zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërorë;

4.Tjetër.

Pasi Ahmeti të informojë rreth situatës politike në vend, pritet emërimi i sekretarëve të partisë dhe udhëheqësit e sekretariateve, siç janë ato për ekonomi, drejtësi, bujqësi e të tjera. Pastaj zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, pritet të prezantojë para bashkëpartiakëve punën e ministrave integristë. Pas kësaj do të hapet debati.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në BDI, ka shumë gjasa që me vërejtje të dalë i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” për punën e ministrave, por ende nuk dihet nëse do të vendosin si kusht që të bëhen ndryshime në ekipin e ministrave nga radhët e BDI-së.

Duket se Ahmeti nuk do të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar, por eventualisht mund të propozohet periudhë tranzicioni që në periudhën e ardhshme të vazhdojë ekipi i njëjtë i ministrave, deri sa të harmonizohen qëndrimet brenda kryesisë së partisë.

Gjithashtu, mësojmë se Artan Grubi do te propozohet për shef kabineti të Ali Ahmetit.

Nga ana tjeter, burime nga “grupi i zjarrit” thonë se do të insistojnë për shkarkimin e zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubit.

Se çfarë do të ndodh, pritet të shihet nesër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu