Kryetari i Dibrës Fisnik Mela së bashku me ekipin e komunës dhe koordinatorët e projektit, inspektuan punimet ndërtimore që po kryhen në tre rrugë në qytet, informuan nga pres shërbimi i komunës.
“Këto projekte janë pjesë e angazhimit tonë për përmirësimin e infrastrukturës lokale, sigurimin e cilësisë së lartë të ndërtimit dhe respektimin e afateve. Për ne, çdo metër rrugë e rregulluar përfaqëson një hap përpara drejt një Dibre të lidhur, më të sigurt dhe më të bukur për të jetuar”, tha Mela.
Ka shprehur bindje se punimet do të përfundojnë shumë shpejt dhe rrugët do të vihen në shërbim të banorëve të cilët, siç tha, meritojnë edhe më shumë, prandaj si pushtet vendor do të vazhdojnë të sigurojnë fonde përmes burimeve të ndryshme për zbatimin e infrastrukturës dhe projekteve të tjera.
Rrugët po rikonstruktohen plotësisht me fondet e marra nga thirrja e parë e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale nga kredia hungareze.










