Kryetari i Komunës së Strugës dhe pronar i kompanisë ndërtimore “Trim & Lum”, Mendi Qyra, sipas të dhënave nga fleta e tij e deklarimit të pasurisë e publikuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, është kryetari i komunës më i pasur në Maqedoni.
Në pasurinë e deklaruar përmenden disa banesa në Shkup dhe Strugë, me vlerë totale prej disa qindra mijëra eurosh, si dhe gjashtë prona të paluajtshme të përfituara përmes kontratave të ndërtimit në Strugë. Më e vlefshmja prej tyre është një objekt me sipërfaqe 291 metra katrorë, i vlerësuar në 500 mijë euro.
Qyra ka deklaruar gjithashtu sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore në Bixhevë dhe Strugë, si dhe kullotë, me vlerë të përgjithshme të vlerësuar rreth 300 mijë euro. Vëmendje të veçantë tërheq shtëpia banimi në Shqipëri, me sipërfaqe 690 metra katrorë, e vlerësuar deri në 10 milionë euro.
Në fletën e deklarimit është përfshirë edhe një automjet luksoz – Mercedes Benz S580 i vitit 2021, i vlerësuar në 150 mijë euro, të cilin Qyra ka paralajmëruar se do ta përdorë edhe në cilësinë e kryetarit të komunës.
Qyra fitoi zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur i mbështetur nga koalicioni VLEN dhe VMRO-DPMNE, duke e pasuar Ramiz Merkon në krye të Komunës së Strugës.










