Kur BE “friksëohet” nga Serbia: Emërimi i Rashiçit, jo kushtetues

Bashkimi Evropian dhe 27 shtetet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës që të respektojë të gjitha hapat procedurale me rastin e emërimit të një ministri që vjen nga komuniteti jo-shumicë dhe se emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, tha zëdhënësi i Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politika e Jashtme Peter Stano ka thënë të premten, duke shtuar se emërimi i Nenad Rashiçit është zhgënjim për ta, sepse nuk përmbush atë që parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

“E kemi thënë shumë qartë për emërimin e Nenad Rashiçit si ministër, se është me rëndësi jetike që të gjitha emërimet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. BE-ja dhe 27 shtetet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës që të respektojë të gjitha hapat procedurale kur emëron një ministër që vjen nga një komunitet jo-shumicë. Kjo duhet të respektohet”, tha ai në një konferencë për shtyp në Bruksel, pak orë pasi Vuçiç, duke pretenduar se BE heshtte qëllimisht për emërimin e Rashiçit në vend të Rakiçit nga ana e Albin Kurtit.

Reagimi i Vuçiçit ishte një shfrim i rëndë, duke pretenduar se BE mban anën e Kosovës dhe është kundër Serbisë. Por ja që Brukseli duket se “është trembur”, duke marrë anën e Beogradit kundër Prishtinës.

Ai ka thënë se ky emërim është zhgënjim për ta, sepse nuk përmbush atë që kërkon Kushtetuta e Kosovës dhe se duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Respektimi i Kushtetutës së Kosovës është një kërkesë kyçe dhe presim që Kosova ta respektojë atë”, ka theksuar Stano.

Ai theksoi se të 27 vendet anëtare të BE-së presin sjellje evropiane, qoftë retorikë, veprim apo zgjidhje problemesh.

“Sa i përket Kosovës, ne e komentuam këtë lëvizje dje (të enjten). Në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, besimi i ndërsjelltë është kyç”, tha zëdhënësi.

Ai përsëriti se “duhet të kesh sjellje evropiane kur ke aspirata evropiane, dhe kjo nënkupton të përmbahesh nga hapat e njëanshëm, nga hapat që sjellin përshkallëzim dhe të kërkosh zgjidhje në mënyrë evropiane”.

Stano vlerësoi se situata në fushë është “e brishtë”.

“Ne patëm një përshkallëzim dhe BE-ja u bëri thirrje të dyja palëve që të qetësojnë tensionet pas hapave dhe provokimeve të njëanshme. Situata e sigurisë në terren është e brishtë dhe kjo duhet mbajtur parasysh. Çdo veprim që mund të rrisë tensionet duhet të shmanget. Ju kujtoj ftesën e BE-së dhe 27 vendeve anëtare drejtuar të dyja palëve që të punojnë për kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës në përputhje me obligimin e marrëveshjes”, tha zëdhënësi.

Rëndësia e veçantë e Samitit të Tiranës

Lidhur me samitin BE-Ballkani Perëndimor, i planifikuar për në 6 dhjetor në Tiranë, zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer tha më herët të premten se ky takim është shumë i rëndësishëm dhe se presin të jenë të pranishëm të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, së bashku me krerët e institucionet e BE-së dhe drejtuesit e shteteve anëtare.

Stano shtoi se ky samit është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet e sotme gjeopolitike dhe për rrugën e drejtë në rajon.

Ai theksoi se vizita në Beograd dhe Prishtinë e përfaqësuesit special për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, e paralajmëruar për javën e ardhshme, është “vazhdim i bisedimeve të tij të mëparshme javën e kaluar”.

“Ai (Lajçak) është shpesh në rajon, ai udhëton sa herë që është e nevojshme për t’u takuar me partnerët dhe kjo vizitë është pjesë e agjendës së tij të punës,” tha Stano, duke iu përgjigjur pyetjes nëse vizita ishte planifikuar më herët.

Tashmë, pas këtij reagimi, nuk dihet nëse Vuçiç do anullon vendimin për të bojkotuar Samitin e 6 dhjetorit në Tiranë. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu