Kur do të hiqen barrikadat në veri, deklarohet kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa i përket pranisë së barrikadave në veri të vendit, ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është duke qëndruar gjatë tërë kohës në Mitrovicë, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in.

Por, sipas Kurtit, KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë nga institucionet e Kosovës për heqjen e barrikadave.

Megjithatë, kryeministri Kurti ka thënë se barrikadat e tilla nuk mund të tolerohen gjatë.

Sveçla nuk është duke qëndruar në Prishtinë, është në Mitrovicë tërë kohën, çdo ditë është në kontakt të vazhdueshëm me komandën e KFOR-it për heqjen e barrikadave. KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë nga ne. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës për strukturat ilegale të Serbisë, ka thënë se është fillimi i fazës së fundit të tyre.

I pyetur për protestën e djeshme në veri, ai ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë dëshirojnë ta kthejnë Kosovën në vitet 1999.

“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile, kur ka njerëz të armatosur aty, dëshirojnë që Kosova të kthehet në vitet 1999 dhe të cilët mbajnë parulla e fotografi të presidentit despotik Putin. Ata të cilët synojnë të destabilizojnë Kosovën, do të dështojnë gjithmonë, ashtu sic dështuan dje, synimi i tyre ishte të vijnë në Kosovë, nuk ishin në numër që ata e kishin paramenduar, ndërkaq organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare natyrisht janë kujdesur për siguri dhe paqe”, ka vijuar Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti gjatë ceremonisë së fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10 hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë, ka thënë se shteti kurrë nuk ka qenë më në binar, dhe se në veri të Kosovës, nuk ka pasur kurrë më shumë policë e më shumë e profesionistë, të cilët kujdesen për ligjshmërinë e kushtetuetshmërinë.

Por edhe brengat ndërkombëtare që mund të jenë për siguri dhe paqe, ne i kemi në konsideratë, pasi tani po ndodh një lloj zhvlerësimi dhe demaskimi i strukturave ilegale të Serbisë”.

Ndryshe, sot shënon dita e dhjetë e vendosjes së barrikadave nga serbët në veri të Kosovës.

Serbët po e kundërshtojnë arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, nëpërmjet bllokimit të rrugëve.

Ndërkaq, të dielën e 18 dhjetorit, serbët u mblodhën në shenjë proteste pranë pikës kufitare të Jarinjës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu