Pas takimit me me përfaqësuesin e koalicionit “Sloboda” kreu i VV-së, Albin Kurti ka thënë se me Rashiqin nuk kanë diskutuar për një koalicion të mundshëm, por për procesin zgjedhor në vendbanimet serbe.
“Nenad Rashiq nuk e ka asnjë aferë apo skandal si ministër. Ai është një ndër ministrat më të mirë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Bisedova me të për procesin zgjedhor në vendbanimet me shumicë serbe dhe ky ishte shumë i zhgënjyer. Unë isha i interesuar që të marr vesh prej tij për procesin zgjedhor se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe. Ndërkombëtaret raportuan se ka pasur parregullsi. Qeveria e kaluar nuk i ka trajtuar fare këto parregullsi dhe ne duhet t’i trajtojmë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se, Nenad Rashiq nuk e ka asnjë aferë apo skandal si ministër dhe sipas tij, Rashiq është një ndër ministrat më të mirë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Kurti para mediave foli edhe për diskutimet për koalicion qeverisës me LDK-në, teksa tha se javën e ardhshme pritët të diskutojnë grupet punuese për harmonizim të programeve.
Për dallim nga Albin Kurti, Nenad Rashiq përkundër insistimit nuk ka dashur të deklarohet për media.