Kurti: Gjaku i dëshmorëve nuk humbet kurrë, është i shkruar me shkronja të arta në histori

Me rastin e 21 vjetorit të rënies së heronjve të kombit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë nderime para shtatores së Zahirit në kryeqytet.

“Respekti për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit tonë është respekt për veten tonë si qytetarë të Republikës, si aktivistë politikë e si politikanë përfaqësues. Zahir Pajaziti ishte pararendës i luftës çlirimtare dhe ai i dha një hov të madh UÇK-së. Populli i Kosovës asokohe e fitoi besimin në UÇK-në dhe kësisoj atij iu rrit vetëbesimi”, tha Kurti, raporton Koha.net.

Ai thotë se gjaku i dëshmorëve nuk humbet kurrë ashtu sikurse edhe emri i tyre nuk harrohet asnjëherë meqenëse shkruhet me shkronja të arta në historinë e popullit tonë.

“Sot, në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e vendit ne duhet të kujtojmë se sa i lartë ka qenë çmimi i lirisë dhe se si rrënjët e kësaj lirie janë sakrificat e bijave dhe bijve më të mirë të popullit tonë”, shkroi Kurti në Facebook.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu