Kurti i “shtrin dorën” Serbisë: Ja si arrihet paqja mes nesh

Kryeministri Albin Kurti than ga Parisi se Kosova është e gatshme që Serbisë t’ia shtrijë dorën dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, por a mundet që dhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë.

“11 vjet më vonë marrëdhëniet nuk janë më të mira se para një dekada dhe ka një arsye për këtë. Serbia ka dështuar në demokratizimin e saj dhe kërkon më shumë konflikt sesa bashkëpunim, ende u jep lavdi kriminelëve të luftës në vend se t’i gjykojë e t’i dënojë. Kam frikë se Serbia nuk është as demokratike e as e pavarur. Është një regjim që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse e dominohet nga Rusia e Putinit”, tha Kurti në Forumin e Paqes në kryeqytetin francez.

“Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë gati të çlirojnë grushtet e tyre”, tha Kurti.

“Ajo që nuk ofrojmë janë koncesionet për ta ndarë vendin tonë në vija etnike, por nëse Serbia nuk është gati të na njohë, 5 vendet e Evropës nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë Serbinë të na njohë më shpejt, duke na njohur ato fillimisht”, arsyetoi i pari i qeverisjes së Kosovës, duke kujtuar se “rreth kufijve të Kosovës me Serbinë, ekzistojnë 48 baza të veprimit në pararojë me qindra mijëra ushtarë, 28 prej të cilave në xhandarmëri dhe 20 të tjera ushtarake”.

“Është rrezik për vendin tonë, jemi shumë vigjilent por asnjëherë të frikësuar. Kosova nuk është në NATO, por Kosova është brenda NATO-s. Historia e Kosovës dhe e NATO-s janë të ndërthura dhe e ardhmja e tyre është e ndërthurur. Duhet sa më shpejtë të integrohemi në NATO”, konkludoi Kurti, ndërsa si një recetë për serbinë tha se “duhet të distancohet nga e kaluara e Millosheviçit dhe e tashmja e Putinit, sepse kjo do të na ndihmonte për ta arritur marrëveshjen, për t’iu dhënë drejtësi viktimave dhe për të arritur marrëveshjen e pajtimit për gjeneratat që do të vijnë”. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu