Kurti kërkon opinion për Thaçin nga Komisioni i Venedikut

Ashtu siç paralajmëroi, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venedikut për rolin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurti ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Vendedikut në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit.

Krejt kjo nismë e Kurtit vjen pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit ndaj Qeverisë së tij ku edhe u rrëzua me 82, apo 2/3 e votave të të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nuk dihet nëse Komisioni i Venedikut do të pranon të merret me këtë dhe të jep opinion në lidhje me çështjen, por edhe çdo opinion që del nga aty Kosova nuk detyrohet ta respekton.

Çfarë është Komisioni i Venedikut?

Komisioni i Venedikut është një trup këshillues i Këshillit të Evropës (KiE) dhe përbëhet nga ekspertë të pavarur të sferës së të drejtës kushtetuese. Është themeluar në vitin 1990 pas rënies së Murit të Berlinit, në një kohë të nevojave të menjëhershme për ndihmë kushtetuese në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Zyrtarisht njihet si Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit, por për shkak të vendit të takimit, Venedik, Itali, ku sesionet mbahet për katër herë në vit, i referohen si Komisioni i Venedikut.

Roli i Komisionit është që të ofrojë këshilla ligjore për shtetet anëtare, posaçërisht për të ndihmuar shtetet që dëshirojnë që t’i përshtatin strukturat e tyre legale dhe institucionale në një linjë me standardet evropiane. Gjithashtu Komisioni ofron përvojë ndërkombëtare në sferën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Komunikata e plotë nga Zyra e Kryeministrit:

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit.

Në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venedikut do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese. Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision.

Duhet theksuar që është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu