Kurti: Kosova, nuk ka frikë ndaj Serbisë

Kosova është e gatshme të kundërshtojë një sulm të mundshëm nga Serbi, tha kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Reuters. Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u ndezën përsëri në fillim të këtij muaji kur Prishtina njoftoi se të aplikonte reprociteti në kufi, në lidhje me lejekalime të posaçme dhe targat e automjeteve.

Situata u qetësua pasi Kurti, nën presionin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, pranoi të shtyjë reprocitetin e targave deri më 1 shtator. Kjo për shkak të një rebelimi serb në Veri që çoi në barrikadim të rrugëve që të çonin në pikat kufitare. Bëhet fjalë për aksione të strukturave paralele serbe, të cilat kanë nxitje dhe mbështetje nga Beogradi.

Nuk duhet të përjashtohet që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen në një sulm ndaj Kosovës, në një mënyrë apo në një tjetër”, tha Kurti për Reuters, duke folur në anglisht. “Ne jemi të kujdesshëm, por nuk kemi frikë”.

Ai shtoi: “Unë nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë ose javën e ardhshme, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej…mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja.

Vendi i vogël ballkanik pa dalje në det fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas një lufte të armatosur kundër qeverisë shtypëse në Beograd, shkruan Reuters.

Serbët etnikë përbëjnë 5 për qind të 1.8 milionë banorëve të Kosovës, ku shqiptarët etnikë përbëjnë 90 për qind.

Rreth 50 mijë serbë jetojnë në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë. 40,000 jetojnë në jug të lumit Ibër dhe përdorin targa të lëshuara nga qeveria e Kosovës.

Serbia nga ana e saj akuzon Prishtinën për shkeljen e të drejtave të minoritetit serb.

Kurti kritikon rolin e Rusisë

Partitë opozitare në Prishtinë akuzuan Kurtin se i tremb investitorët me një histori të hapur për një konflikt të ri të mundshëm me Beogradin.

Kurti i mohon akuzat. Ai akuzoi Rusinë, e cila është aleati kryesor i Serbisë dhe që vuri veton ndaj ofertës së Kosovës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara, për një rol në nxitjen e tensioneve të reja etnike në Kosovë.

“Presidenti despotik (rus) (Vladimir) Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes të zgjerojë luftën, sepse ai dëshiron të normalizojë luftën,” tha Kurti, duke aluduar për pushtimin rus të Ukrainës fqinje në shkurt.

Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova tani është shtet, nuk është viti 1998”, tha Kurti. “Ky është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të gatshëm për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë tonë, shtetin e së drejtës, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë”.

Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç pritet të takohen në Bruksel për bisedime shtesë më 18 gusht. Beogradi dhe Prishtina janë angazhuar publikisht për dialogun e sponsorizuar nga BE për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, por pak përparim është bërë deri më tani.

Rreth 3700 ushtarë të NATO-s në Kosovë

Kosova iu bashkua dënimeve evropiane dhe amerikane të veprimeve ruse në Ukrainë dhe iu bashkua sanksioneve kundër Moskës. Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë pavarësisht synimit të saj për t’u bashkuar me BE-në dhe përafrimit të politikës së saj të jashtme me bllokun.

Kosova shpëtoi nga sundimin serb në vitin 1999, pasi sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund një operacioni brutal nga forcat serbe të sigurisë. Por Serbia ligjërisht ende e konsideron Kosovën pjesë integrale të territorit të saj dhe me ndihmën e Moskës e ka bllokuar Kosovën nga anëtarësimi në institucione të ndryshme ndërkombëtare.

NATO ka rreth 3700 trupa të stacionuara në Kosovë për të ruajtur paqen e saj të brishtë. Javën e kaluar, NATO tha se do të ndërhynte në përputhje me mandatin e saj nëse kërcënohej stabiliteti, përfundon Reuters.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu