Përveç sfidave në politikën e brendshme dhe dialogun me Serbinë, qeverinë Kurti e pret dhe një tjetër çështje që e ka vënë Kosovën mes SHBA dhe BE, Turqisë e vendeve të tjera të botës arabe. Bëhet fjalë për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Ndërsa është përshëndetur nga SHBA, vendimi për vendosjen e ambasadës së Kosovës nëJerusalem u kundërshtua nga BE, që e konsideron qytetin me status të pazgjidhur. Një gjë e tillë u kundërshtua edhe nga Turqia.
Kjo u riktheksua edhe në letrën e urimit që presidenti turk Erdogan i dërgoi liderit të VV, Albin Kurti për fitoren e zgjedhjeve. Pasi e uroi për fitoren, Erdogan u shpreh i gëzuar që Vetëvendosje mund ta shmangë hapjen e ambasadës në Jerusalem.
E në të njëjtën kohë Kurti ka letër urimi nga kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e fton në inaugurimin e ambasadës në Jerusalem. Kryeministri i ardhshëm Albin Kurti do të duhet të zgjedhë rrugën e duhur në udhëkryqin ku gjendet.
Marrëdhëniet dilomatike mes Kosovës dhe Izraelit u vendosën më 1 shkurt të këtij viti, si pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë ë Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, një hap që u cilësua nga të dyja vendet si historik dhe ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në mënyrë virtuale.
Në ceremoninë virtuale të nënshkrimit morën pjesë edhe nënsekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Jerusalem. Ndërkohë, 3 ditë më parë në Izrael mbërriti edhe ambasadorja e Kosovës, Ines Demiri.







