(E plotësuar) Demarkacioni nuk është marrëveshje e popullit të Kosovës, por është marrëveshje personale e Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Murat Mehës.
Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se nuk do të lejojnë që nesër tradhtia të legjitimohet në Kuvend.
Ai tha se për nesër është paralajmëruar demonstratë paqësore, e cila së bashku me 200 mijë nënshkrime të mbledhura, tregojnë dhe dëshmojnë se e drejta dhe fuqia janë në anën e tyre.
“Kjo drejtësi do të vijë në shprehje nesër për ta ndaluar legjitimimin e padrejtësisë dhe tradhtisë”, tha Kurti.
Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe aktivisti i kësaj Lëvizje, Boiken Abazi, për të cilin Kurti tha se i ka kaluar afati ligjor dhe se ai është i pafajshëm.
Në anën tjetër, ky i fundit ka reaguar lidhur me arrestimet e gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes, si të dyshuar për sulmet e 4 gushtit ndaj Kuvendit të Kosovës.
Abazi ka thënë se regjimi ka arrestuar aktivistët, për shkak se nuk e duron dot rininë e emancipuar e të shkolluar.
“Kërkojmë lirim të menjëhershëm për aktivistët e arrestuar”, deklaroi Abazi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për Demarkacionin me Malin e Zi. Kurti shprehu se nesër do të jetë protestë paqësore por jo e qetë.
“Kosova nuk ka tokë për të falur e gjak për të shkelur. Ne ata 8200 hektare i kemi dëshmorët tanë, e nuk mund të heqim dorë nga ajo pjesë e territorit. Secili qytetar do ta pyesë qytetarin tjetër, secili prej nesh duhet ta pyesë vetëveten se ku ka qenë në datën 1 shtator.” tha Kurti.
I pranishëm në konferencë ishte edhe Sekretari i Vetëvendosjes, Boiken Abazi i cili në fjalën e tij i bëri thirrje të gjithë shqiptarët që jetojnë në trevat jashtë Kosovës të protestojnë në Prishtinë.