Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur për çështjen e presidentit, ka thënë se zgjedhja e tij do të përfundojë së shpejti.
“Do ta kryejmë edhe hapin e tretë shumë të rëndësishëm të konstituimit të institucioneve në legjislaturën e tetë, por sot jemi duke bërë homazhe në Krushë të Madhe për dëshmorët dhe martirët e luftës”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, teksa ka thënë se prioritare në këtë proces është çështja e të pagjeturve dhe mizorive që janë kryer ndaj popullit shqiptar.
“Në raportin tonë me Serbinë e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve, sepse s’mund të kemi progres nëse nuk i trajtojmë këto mizori makabre që janë kryer mbi popullin tonë. Nuk do të jetë dialog ku dëgjojmë kërkesa të vjetra të Serbisë, por dialog ku ne kërkojmë drejtësi”, ka thënë ai.










