Kurti për Projektligjin për Specialen: Ndryshimet janë të ngutshme, por do t’i mbështesim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do t’i mbështesë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndonëse i ka cilësuar ato si veprime të ngutshme.

Kurti, duke folur në Kuvend, tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, duke theksuar se UÇK-ja, sipas tij, nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e cilësoi si gjenocid të Serbisë në Kosovë.

“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, deklaroi Kurti.

Sa i përket ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, kryeministri tha se deputetët kanë pasur pak kohë për t’i analizuar ato, duke e cilësuar këtë proces si të ngutshëm.

“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015”, tha Kurti.

Ai u shpreh se zemërimi i qytetarëve ndaj Dhomave të Specializuara është, sipas tij, i drejtë dhe se një pakënaqësi e tillë ka ekzistuar edhe në vitin 2015, kur u themelua kjo gjykatë, por nuk është marrë parasysh.

Kurti gjithashtu tha se përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që votuan për themelimin e tyre në vitin 2015.

Megjithatë, pavarësisht kritikave për mënyrën dhe kohën e ndërmarrjes së kësaj nisme, Kurti bëri të qartë se LVV-ja do t’i japë mbështetje ndryshimeve.

“Ne po ju mbështesim sot”, tha Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu