Kurti: S’mund të gaboj me Asociacionin, Lajçak ta çojë draftin e tij në Komisionin e Venecias

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistë për A2CNN tha se nuk mund të gabojë me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti thekson se Serbia nuk mund t’ia kërkojë Kosovës zbatimin e kësaj pike në një marrëveshje që vetë e ka shkelur.

“Asociacioni është i shprehur në dy marrëveshje në mesin e 39 marrëveshjeve që kanë bërë pararendësit e mi me Beogradin. Atje janë marrëveshjet, nuk e mohoj ekzistencën e tyre. Por marrëveshja e vitit 2013 e nënshkruar mes Thaçit dhe Daçiç, i ka 15 pika, 6 prej tyre janë për Zajednicën. Marrëveshjen më të dashur që ka Serbia kërkon 6 nga 15 pika që ta respektojë dhe ta zbatojmë ne. 60% që e ka shkelur, nuk do që ta zbatojë. Në 2022 Beogradi dha urdhër në veri për zyrtarët që të tërhiqen nga sistemi i Kosovës. Nuk mund të kërkosh nga unë të zbatoj 40% e marrëveshjes kur vetë ke shkelur 60%”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në intervistë për A2CNN.

Tutje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli edhe për draftin e propozuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për Asociacionin. Ai theksoi se duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias.

“Unë kam shprehur ofertën time, e cila duhet të pranohet fillimisht në parim. Unë nuk mund të sjellë frymën dhe germën pa u pranuar ofertën. Ata edhe më tutje insistojnë që duhet të kemi një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nëse e heqin nga ekuacioni, atëherë merremi vetëm me ndërkombëtarët. Dokumentin e tyre, Lajçak dhe komisionerët e tjerë evropianë ta çojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias. Dokumentin tim do e çoj në Kushtetuese. Nëse Vuçiq është pajtuar me marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë. Por nëse hiqet Asociacioni, e shkatërrohet paketa, ashtu nuk pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte në Beograd”, ka deklaruar Kurti duke shtuar se drafti që i është dhënë është “non paper”.

Kurti nuk është përgjigjur kur u pyet rreth moskoordinimit të institucioneve për letrën që ministrja e Punëve të Jashtme e dërgoi në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Ai tha se nuk “është më aktuale kjo temë” ndërsa ka treguar pritjet për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave për anëtarësimin e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu