Kurti: Zgjedhje në Veri, kurrë Asosacion

Kryeministri Albin Kurti tha se qeveria nuk do të lejojë vakum në veri të Kosovës dhe se zgjedhjet duhet të mbahen në katër komuna, si dhe hodhi poshtë mundësinë e formimit të Unionit të Komunave Serbe.

Në një prononcim për agjencinë austriake APA, Kurti ka thënë se vendet e lira në Veri, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, duhet të plotësohen shpejt dhe se nuk mund të presim kthimin e serbëve.

“Për pozitat e katër kryetarëve në veri të Kosovës do të duhet të organizojmë zgjedhje të reja”, ka deklaruar ai dhe ka shtuar se sa i përket 10 deputetëve të Listës Serbe, pozitat e tyre duhet të plotësohen nga të tjerët.

“Nëse nuk duan, ne duhet të vazhdojmë me partnerët tjerë”, tha Kurti.

Ai po ashtu thotë se punonjësit e policisë duhet të zëvëndësohen sa më shpejt, sepse, shton ai, është e nevojshme të sigurohet sundimi i ligjit dhe siguria për të gjithë.

Kurti pohon se vetëm “një pakicë ekstremiste në mesin e serbëve” qëndron pas protestave në Veri, ndërsa shumica dërrmuese prej 90 për qind e serbëve të Kosovës kanë ndërruar targat dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë incident apo ankesë kundër 1500 paralajmërime për pronarët e veturave me targa të Serbisë, të cilët do zëvëndësohen me ato të Kosovës.

Sa i përket ZSO-së, formimin e së cilës, siç thekson APA, e kanë kërkuar prej kohësh SHBA dhe BE, Kurti hedh poshtë mundësinë e formimit të saj.

“Vitin e kaluar unë erdha në pushtet kur paraardhësit e mi e nënshkruan atë dokument me të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi. Pse nuk e kanë formuar atëherë?”, pyeti ai.

“ZSO nuk është në përputhje me Kushtetutën tonë”, tha Kurti, sepse siç thotë ai, baza e Kushtetutës së Kosovës është multietniciteti i shtetit dhe se pretendime se kërkesat për një autonomi të tillë nuk vijnë nga popullata shumicë serbe në Kosovë por vetëm nga Beogradi për të kompensuar humbjet që ka pësuar gjatë luftës në kohën e Sllobodan Millosheviçit.

“Ndaj kjo nuk është e zbatueshme,” tha ai.

Kurti shprehu besimin se në dy vitet e ardhshme do të ketë një marrëveshje përfundimtare me Beogradin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Jam shumë optimist sepse ka një shans të mirë për të arritur një marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin”, pohon Kurti. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu