Qeveritë perëndimore shpresojnë se bisedimet e planifikuara sot në Gjenevë mes diplomatëve të lartë evropianë dhe ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, do të ndihmojnë në uljen e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit.
Por kush është Araghchi dhe çfarë roli luan ai në negociatat e mundshme?
Abbas Araghchi është ministër i Jashtëm i Iranit që nga gushti i vitit të kaluar, pas një karriere të gjatë në shërbimin diplomatik iranian që nisi në vitin 1989. Ai ka shërbyer si ambasador i Iranit në Finlandë dhe Japoni.
Megjithatë, ai njihet më së shumti si kryenegociatori i Iranit në bisedimet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermaninë, të cilat çuan në nënshkrimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Irani pranoi të kufizojë aktivitetet e ndjeshme bërthamore dhe të lejojë inspektorë ndërkombëtarë, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Shtetet e Bashkuara, nën presidencën e Donald Trump, u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018./tvklan.al