Kush është Lorisa Katra? Infermierja shqiptare në Itali që shpëtoi dy jetë brenda pak ditësh

Screenshot

Një shembull i jashtëzakonshëm profesionalizmi, humanizmi dhe guximi vjen nga Italia, ku protagonistja kryesore është një infermiere e re shqiptare.
Lorisa Katra, e cila ushtron profesionin e saj në shtetin fqinj, është kthyer në heroinën e ditëve të fundit pasi arriti të shpëtonte dy persona në dy raste krejtësisht të ndryshme emergjence, të ndodhura vetëm pak ditë larg njëra-tjetrës.

Ndihma e parë në tramvajin e Firences

Ngjarja e parë u regjistrua në një tramvaj në qytetin e Firences. Një 60-vjeçar pësoi arrest kardiak të papritur, duke vënë në rrezik serioz jetën e tij. Ndërsa situata rrezikonte të kthehej në tragjedi, Lorisa ndërhyri menjëherë me qetësi dhe një profesionalizëm të lartë, duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore dhe duke e mbajtur pacientin në jetë deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.

Heroizmi përsëritet në qiell: Ndërhyrja gjatë fluturimit Londër–Pisa

Pa kaluar mirë shumë ditë nga ngjarja e parë, Lorisa u përball me një tjetër situatë kritike, këtë herë në lartësi. Gjatë një fluturimi nga Londra drejt Pizës, një pasagjer shfaqi probleme të rënda shëndetësore.

Duke parë urgjencën e situatës, infermierja shqiptare nuk hezitoi për asnjë moment. Ajo ndërhyri menjëherë duke stabilizuar gjendjen e pasagjerit, i cili arriti të mbijetonte me sukses deri në uljen e avionit në aeroport, ku e priste ndihma e specializuar.

Mediat italiane në kor: Një shembull i lartë humanizmi

Guximi dhe reagimi i shpejtë i Lorisës nuk kanë kaluar pa u vënë re. Mediat italiane i kanë kushtuar hapësirë veprimeve të saj, duke e vlerësuar maksimalisht dhe duke e cilësuar si një shembull të shkëlqyer të profesionalizmit, përkushtimit dhe humanizmit që karakterizon bluzat e bardha.

Ky rast dëshmon edhe një herë vlerat e larta të profesionistëve shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë vendit, duke na bërë të gjithëve krenarë me veprat e tyre humane. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu