Kush gënjeu për rastin “Monstra”?

Edhe përkundër shumë premtimeve për rastin “Monstra” dhe “Sopoti”, aktakuza nuk u ngritën. Pasi një ditë më parë Prokuroria Publike e përgënjeshtroi Janevën, ajo të enjten pranoi se nuk e ka kërkuar lëndën e rastit “Monstra”, por këtë e arsyetoi më atë se Prokuroria publike nuk ka bashkëpunuar në raste tjera dhe për këtë ka hequr dorë nga kërkesa. Ndërkaq, Bedri Hajdari, vëlla i të dënuarve për “Monstrën”, thotë se çdo palë e përfshirë deri më tani në këtë rast ka punuar në përmbushjen e agjendave personale

Çdo e palë e deritanishme e përfshirë në zbardhjen e të vërtetës për rastin “Monstra” ka punuar për përmbushjen e agjendave personale. Kështu thotë Bedri Hajdari, familjar i të dënuarve me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”, një ditë pasi shpalljes nga prokurorja Kataica Janeva të 17 aktakuza për 18 lëndë, në mesin e të cilave nuk u gjend rasti “Monstra”, shkruan gazeta KOHA. Hajdari në një prononcim për gazetën KOHA thotë se familjarët që nga fillimi kanë qenë të vetëdijshëm për obstruksionet që i bëhen Prokurorisë Speciale Publike, megjithatë ai shton se ndërrimi i pushteti për ta ka qenë indikacion i mjaftueshëm se këto pengesa do të marrin fund. Por, përkundër premtimeve të shumta për lirimin e të dënuarve në rastin “Monstra” të cilët gjatë pesë viteve të kaluara kanë ardhur nga politikanë dhe prokurorë të ndryshëm, Bedri Hajdari është i sigurt se të afërmit e tij dhe të tjerët do të lirohen, duke i mbështetur shpresat e tyre ende në punën e PSP-së.

“Duke pasur parasysh se seanca e radhës publike në Gjykatën Supreme është paraparë të mbahet më 12 shtator, ne shpresojmë se deri atëherë do të formohen organet e reja gjyqësore, do të bëhet ndërrimi i kryeprokurorit dhe përfundimisht kjo lëndë të procedohet nga PSP-ja. Ndërsa, në bazë të kontakteve që i kemi me avokatët, prokurorët special në këtë lëndë mund të intervenojnë kur të duan. Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm se për shkak të obstruksioneve që PSP-së i janë bërë gjatë kësaj kohë, qofshin ato nga institucionet apo pengesat ligjore, janë pengesë kryesore pse rasti “Monstra” ende nuk është marrë nga kjo prokurori”, thotë Bedri Hajdari për gazetën KOHA.

Avokati Naser Raufi, i cili mbronte të akuzuarit në rastin “Monstra” dhe “Sopoti”, raste këto që pritej të ndërmerreshin nga PSP, thotë se përfundimi i afatit të ngritjes së aktakuzave nga PSP nuk ka lidhje me rastet tjera, pasi sipas tij, për lëndën e “Monstrës” dhe “Sopotit”, ekzistojnë aktakuza. “Neve nuk na intereson intervali kohor i PSP-së, që për ngritjen e aktakuzave përfundoi më 30 qershor, ne e kemi aktakuzën tonë dhe presim në periudhën që pason të përfshihet edhe prokuroria e Katica Janevës.

Deri më tani nga kjo prokurori nuk kanë thënë se nuk do t’i marrim këto lëndë, por se për vendosjen e kompetencave mbi këto raste ato përballen me vështirësi dhe obstruksione. Këtë rast më mirë mund ta ilustrojmë përmes rasti të “Sopotit”, i cili nga Këshilli i Prokurorëve Publik, gjatë ditës së enjte u vendos që lënda të dorëzohet në Prokurorinë për korrupsion dhe krim të organizuar. Ne jemi të bindur se PSP-ja do t’i merr për procedimin si “Monstrën” ashtu edhe “Sopotin”. Si palë mbrojtëse në këto raste, ne kemi kontaktuar edhe me hetuesit e PSP-së, të cilët na kanë konfirmuar se këto raste në prokurorinë e tyre gjenden edhe në fazën e hetimeve, por arsyeja se pse ato ende nuk e kërkojnë “Monstrën” ka të bëjë me përbërjen aktuale të KPP-së”, thotë për KOHA avokati Naser Raufi.

Ngjashëm si familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra”, edhe avokati Raufi tha se është në pritje të përzgjedhjes së organeve të reja në Prokurorinë e shtetit, që më pas Prokuroria speciale lirshëm të mund të paraqitet në seancë publike të Gjykatës Supreme, që pritet të mbahet më 12 shtator. Pengesë tjetër për rastin “Monstra”, sipas tij, është edhe Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve i cili pritet të ndryshohet së shpejti./Koha.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu