Kuvendi miratoi konkluzionet mbi propozimin francez. Me 68 vota “për”, asnjë i përmbajtur dhe asnjë kundër, por në mungesë të opozitës maqedonase e cila gjatë tre ditëve ishte e zëshme në sallë.
Shumica parlamentare ndryshoi konkluzionet pak minuta para se të votohen, me arsyetimin se janë përfshirë edhe kërkesat e partive tjera. Vendimi i Kuvendit obligon Qeverinë që gjatë negociatave të ndjekë trasenë e përcaktuar nga ligjvënësi.
Kuvendi e ngarkon Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që t’i vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian me qëllim që të zhbllokohen proceset eurointegruese dhe të miratohet Korniza negociuese me parimet dhe standardet evropiane.
Ngarkohet Qeveria në mënyrë konsekuente t’i përmbahet përcaktimit për respektim të pakushtëzuar të veçantive gjuhësore, identitetit, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me Bashkimin Evropian.
Ngarkohet Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që: Në Kornizën negociuese, gjuha maqedonase të shënohet pa kurrfarë shpjegimi, shtese apo fusnote.